Sat, Apr 26, 2025

Gjykata rrëzon kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për ‘spiunin’ rus që u kap në uzinën e Gramshit

  • PublishedMay 5, 2023

Mikhail Zorin, shtetasi rus i arrestuar në gusht të vitit 2022, kërkoi  ndryshimin e masës së sigurisë nëpërmjet avokatit mbrojtës në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura.

Por pasi kishte dëgjuar pretendimin e mbrojtjes dhe pasi është njohur me kërkesën e prokurorit Kreshnik Ajazi, i cili kërkoi zgjatjen e afateve të hetimit dhe shtyrjen e masës së sigurisë me burg, gjyqtarja Matilda Fetahu vendosi të pranojë këtë të dytën dhe rrëzojë kërkesën e palës mbrojtëse.

Në përfundim të seancës avokati mbrojtës Isuf Shehu tha se nga informacionet e siguruara nëpërmjet kërkesës për informim u konstatua se në lidhje me shtetasin Mikhail Zorin që të  gjitha veprimet hetimore kishin përfunduar të gjitha provat ishin marrë. “Ne kërkuam që gjykata ose të vendoste revokimin ose të vendoste zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë tjetër, duke e parë arrestin si tejet ekstrem në të tilla raste, duke parë parasysh se kanë gati 9 muaj në kushte arresti me burg”, tha Shehu.

Tre blogerë Svetlana Timofeeva 34 vjeç u arrestua më 20 gusht së bashku me Mikahil Zorin, 23 vjeç dhe ukrainasin Fedir Alpatov, 24 vjeç, pas një incidenti të ndodhur brenda rrethimit të ish-uzinës së armëve në Gramsh.

Zorin kundërshtoi dy ushtarakët që tentuan ta ndalonin dhe përdori spraj me piper kundër tyre. Tre të arrestuarit njihen si blogerë dhe janë pjesë e një subkulture të quajtur “Urban Explorer” apo “Urbex”; të pasionuar për të vizituar dhe fotografuar godina të braktisura, përfshi objekte ushtarake të “Luftës së Ftohtë”.

Megjithatë, prokuroria shqiptare i akuzon ata për spiunazh dhe pretendon se treshja kishte ardhur në Shqipëri për të mbledhur informata ushtarake dhe strategjike të sigurisë kombëtare – dyshime të pranuara deri më tani nga gjykatat. Ende për tre të akuzuarit nuk ka nisur një procesi gjyqësor.