Fri, May 3, 2024

Kontinenti amerikan është përballë një mundësie historike

  • PublishedMay 10, 2023

A do ta kuptojë rajoni? Ndërsa SHBA po tërhiqet nga Kina, ajo ka nevojë për fqinjët e saj më shumë se kurrë, shkruan The Economist

Integrimi ekonomik në Amerikën e Veriut, zakonisht nxit disa pikëpamje të skajshme. Kritiku i famshëm më i fundit, Donald Trump, e quajti paktin fillestar të tregtisë së lirë në kontinent, “marrëveshja më e keqe tregtare që është bërë ndonjëherë”.

Në të kundërt, përkrahësit e lidhjeve ndërkufitare thonë se po e bëjnë Amerikën e Veriut rajonin më dinamik në botë.

Në të vërtetë, realiteti tregtar i Amerikës së Veriut shtrihet në një largësi të barabartë midis këtyre dy poleve; ai është i qëndrueshëm, por aspak spektakolar.

Tregtia e mallrave dhe e shërbimeve në kontinent, është katërfishuar në vlerë nominale që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, e quajtur NAFTA, krijuar në vitin 1994.

Ajo ka arritur vlerën mbi 7 trilionë dollarë, ose afërsisht sa 30% e PBB-së. Sado mbresëlënëse, kjo në fakt është më e ngadaltë se rritja prej gjashtëfish e tregtisë që ka përjetuar pjesa tjetër e botës në atë kohë.

Lidhjet tregtare ndërrajonale janë më të dendura në Europë dhe në Azi. Kanadaja dhe Meksika bëjnë shumë biznes me Shtetet e Bashkuara, por pak me njëra-tjetrën.

Pritshmëri të mëdha

Ekonomia rajonale mund të jetë në prag të diçkaje më të madhe. Disa forca tani po bashkohen për të rritur perspektivat e saj. Ndërsa tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po rriten, kompanitë që mbështeteshin te Kina për prodhimin, tani po zhvendosen në vendndodhje të tjera.

Pengesat e prodhimit gjatë pandemisë Covid-19, reflektuan brishtësinë e zinxhirëve të furnizimit të shpërndarë globalisht.

Dhe përqafimi i politikës industriale të administratës së presidentit Joe Biden, me nxitjen e subvencioneve bujare për automjetet elektrike dhe energjinë e pastër, ka rritur investimet në Shtetet e Bashkuara. Kjo prirje, në mënyrë të pashmangshme, po përhapet edhe në Kanada dhe Meksikë.

Në vitin 2022, tregtia e Shteteve të Bashkuara me fqinjët në veri dhe në jug, tejkaloi tregtinë e saj me Kinën. Më 15 mars, rregullatorët amerikanë miratuan bashkimin e parë të madh hekurudhor në dy dekada, i cili do të lidhë të tre vendet.

Më 23 mars, zoti Biden do të takohej me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, gjatë vizitës së parë në Kanada që kur mori detyrën në vitin 2021.

Teoria e ekonomisë së Amerikës së Veriut ka qenë gjithmonë bindëse. Shumë nga kompanitë më të mëdha dhe më inovative në botë janë të vendosura në Shtetet e Bashkuara. Meksika ofron punë dhe tokë të lirë në pragun e saj. Kanadaja është e pajisur me burime natyrore dhe me një ekosistem teknologjik në rritje.

Vëllimi i tregut të konsumit në Shtetet e Bashkuara, së bashku me potencialin e Meksikës, ofrojnë një paketë shumë joshëse.

Megjithatë, në praktikë, industria e makinave është një nga të paktat që përqafon vërtet modelet ndërkufitare, me rrjetet e prodhimit të shtrira nga Monterrey në Ontario dhe të ndërthurura fort.

Pyetja për zyrtarët dhe drejtuesit e Amerikës së Veriut është nëse ata mund të ndjekin të njëjtin lloj integrimi në një gamë më të gjerë sektorësh të rëndësishëm strategjikë, nga bateritë te gjysmëpërçuesit.

Dhe nëse Amerika e Veriut provon se një zhvendosje e tillë është e zbatueshme, pjesa tjetër e botës mund të ndjekë të njëjtin shembull.

Meksika dikur kishte dyshime të thella për marrëveshjen NAFTA. Jo më. Edhe nën presidentin Andrés Manuel López Obrador, një nacionalist populist, askush nuk e vë në pikëpyetje Marrëveshjen midis Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë (USMCA), zëvendësimin e marrëveshjes NAFTA, të negociuar nga administrata Trump (të cilën zoti Trump e quajti marrëveshjen më të mirë tregtare të arritur ndonjëherë).

Më shumë se tre të katërtat e eksporteve të Meksikës, shkojnë në veri të kufirit. Vendimi në shkurt nga Tesla, prodhuesi amerikan i automjeteve, për të ndërtuar një fabrikë në Nuevo León, është përshëndetur si një shenjë e mirë për të ardhmen. Do të fillojë me një investim prej 1 miliard dollarësh dhe mund të rritet në shumën 10 miliardë dollarë.

Vitin e kaluar, ministri i Ekonomisë i Meksikës, tha se rreth 400 kompani ishin të interesuara për zhvendosjen e pikave të prodhimit nga Azia në Meksikë. Andrés Benavides, nga firma Daikin, prodhues japonez i kondicionerëve, thotë se kompania do të zhvendosë një pjesë të prodhimit për tregun amerikan nga Tajlanda në Meksikë.

Ajo planifikon të punësojë 2000 njerëz në Meksikë gjatë 18 muajve të ardhshëm. Kompania ka zhvendosur aty edhe disa pika prodhimi që ndodheshin në Shtetet e Bashkuara. Një arsye për tërheqjen ndaj Meksikës është disponueshmëria e punës. Dhe pagat e prodhimit janë shumë më të ulëta se në Kinë.

Investimet zakonisht përqendrohen në industri të mëdha, veçanërisht në prodhimin e makinave, industria kryesore e eksportit në Meksikë. Shumë prej tyre përfaqësojnë gjithashtu zgjerime nga kompani që operojnë tashmë në Meksikë.

Volkswagen, BMW dhe Kia ishin ndër kompanitë që njoftuan investime vitin e kaluar, duke u përqendruar në rritjen e prodhimit të automjeteve elektrike. Optimistët mendojnë se së shpejti mund të ketë edhe një numër të madh të ardhurish të rinj. Lorenzo Berho nga firma Vesta, thotë se kanë kërkesë “si kurrë më parë”.

Organi bankar i Meksikës mendon se investimi i kompanisë Tesla mund të nxisë deri në 25 miliardë dollarë më shumë investime.

Duke pasur parasysh shqetësimet në lidhje me prodhimin e shpërndarë globalisht, ky efekt mund të jetë më i fuqishëm se në të kaluarën. Harald Gottsche, kreu i një fabrike të BMW-së në San Luis Potosí, thotë se pjesët e prodhuara në vend do të rriten, “për të qenë më elastike ndaj shqetësimeve të zinxhirit të furnizimit”.

Por Alberto de la Fuente, i cili drejton Këshillin e Kompanive Globale në Meksikë, një organ që përfaqëson kompanitë e mëdha ndërkombëtare, paralajmëron se vala e investimeve nuk është bërë realitet.

Investimet e Huaja Direkte u rritën në 35.3 miliardë dollarë në vitin 2022, ose gati sa 3% e PBB-së, shifra më e lartë që nga viti 2015, por analistët vendas thonë se kjo mund të jetë shkak i disa investimeve të pakta të mëdha.

Banorte, bankë meksikane, vlerëson se vendi mund të fitojë 168 miliardë dollarë shtesë në eksporte gjatë pesë viteve të ardhshme, mbi eksportet vjetore prej rreth 500 miliardë dollarësh që merr tani, por fitimet parashikohen të jenë në një interval midis 84 dhe 300 miliardë dollarësh.

Por edhe telashe

Përveç problemeve të zakonshme si siguria dhe logjistika, qeveria po shton edhe telashe të reja. Kryesori është energjia.

Në një përpjekje për të mbrojtur kompaninë shtetërore të energjisë elektrike të Meksikës, CFE, López Obrador prezantoi reforma që i japin përparësi energjisë elektrike të CFE-së, pavarësisht sa ndotës apo të shtrenjtë janë impiantet e saj.

Kjo do të zvogëlojë hapësirën për investime fitimprurëse në prodhimin privat, gjë që e lë Meksikën me mungesa të energjisë elektrike.

Gjithashtu e bën energjinë më të shtrenjtë. Ndërkohë kompanitë po hasin vështirësi në përftimin e energjisë së pastër, e cila u nevojitet për të përmbushur objektivat për uljen e emetimeve të karbonit.

Meksika po ofron më pak para publike për investitorët, edhe ndërsa SHBA-ja po përforcon politikën e saj industriale. Zoti López Obrador eliminoi ProMéxico, një organizatë që promovonte investimet. Ekzistojnë pak stimuj federalë për investime.

Disa shtete ofrojnë tokë të lirë, por jo lehtësime tatimore si ato që mundësojnë shumë nga homologët e tyre amerikanë. Sidoqoftë, kjo mungesë mbështetjeje ka më shumë gjasa ta ngadalësojë valën sesa ta ndalojë atë.

Një shef në një firmë prodhuese, thotë se edhe me “pilot automatik”, Meksika përfiton nga afërsia me Amerikën.

Kanadaja nuk ka të njëjtin luks. Për nga pagat, kostot e tokës apo rregulloret e gjelbra, Kanadaja është mjaft e ngjashme me Shtetet e Bashkuara, gjë që nënkupton se ofrimi i subvencioneve të mëdha për automjetet elektrike, prodhimin e baterive dhe energjinë e pastër, ka potencialin të ndryshojë baraspeshën konkurruese midis dy vendeve.

Buxheti do të ofrojë një paketë kreditimesh tatimore dhe subvencione të tjera, si përgjigje e Kanadasë ndaj politikës së fortë industriale të Shteteve të Bashkuara. Me një ekonomi më pak se një të dhjetën e madhësisë së Shteteve të Bashkuara, Kanadaja nuk mund të konkurrojë dot në tërësi, por mund të synojë pjesë të veçanta të zinxhirëve të furnizimit.

Dennis Darby nga grupi industrial Canadian Manufacturers and Exporters, thotë se, pa marrë më shumë mbështetje nga qeveria, Kanadaja përballet me rrezikun e shterimit të kapitalit. Ai shton se klientët amerikanë u thonë disa kompanive se mund të ulin kostot duke u zhvendosur në jug të kufirit.

Zyrtarët kanadezë treguan se ndoshta mund t’i bëjnë ballë kësaj sfide kur më 13 mars, një prodhues gjerman i makinave, njoftoi se do të ndërtonte fabrikën e parë të baterive elektrike jashtë Europës, në Ontario.

As qeveria federale dhe as qeveria provinciale nuk kanë përcaktuar stimujt e përfshirë, por buxheti mund të hedhë dritë mbi to.

Investimi i Volkswagen pasqyron gjithashtu faktin se të paktën disa nga politikat e administratës Biden, janë modeluar duke pasur parasysh rajonin më të gjerë. Kreditë tatimore për blerësit e automjeteve elektrike përcaktojnë se prodhimi mund të bëhet kudo në Amerikën e Veriut.

Kanadaja ka pasur një fillim me pengesa në zhvendosjen e saj drejt një modeli më ekologjik të rritjes. Qeveria e zotit Trudeau paraqiti një sistem të çmimeve të karbonit në vitin 2018, duke i shtyrë bizneset që të investojnë në fusha më ekologjike.

Shumë veta në industri ankohen se politikat e Kanadasë janë të rrepta, ndërsa Shtetet e Bashkuara po shpërndajnë shpërblime të majme për kompanitë e tyre nëpërmjet stimujve. Megjithatë, po ta analizojmë më nga afër, problemi në Kanada në fakt nuk është mungesa e stimujve, por mungesa e organizimit të tyre.

Instituti Kanadez i Klimës llogarit se subvencionet e parashikuara në vitin 2030 për investimet e uljes së karbonit në industrinë e naftës në Alberta janë shpërndarë në disa kategori, por arrijnë në 135-275 dollarë për ton karbon të sekuestruar, më shumë se 115 dollarë për ton që ofrohet në Teksas.

Në vend që të grumbullojë më shumë subvencione, detyra e Kanadasë është të thjeshtojë atë që ofron tashmë.

Ndoshta gjëja më e madhe që sjell Kanadaja në tryezën e Amerikës së Veriut është pasuria e saj me burime natyrore. Kanadaja ka një pjesë relativisht të vogël (3% ose pak më shumë) të rezervave të mineraleve thelbësore si litiumi dhe mangani, të cilët nevojiten për bateritë, gjysmëpërçuesit, pilat me hidrogjen etj.

Por qeveria beson se nën tokë ka pasuri të pazbuluara dhe po punon për të nxitur më shumë eksplorime, duke shpalosur strategjinë e parë për mineralet me rëndësi kritike, në fund të vitit 2022. Marc Gilbert, nga firma Boston Consulting Group, mendon se Kanadaja duhet të angazhohet më shumë në sektorët me vlera më të larta të industrisë.

Kanadaja, ashtu si Meksika, tashmë është shumë e varur nga Shtetet e Bashkuara, duke qenë se plot tre të katërtat e eksporteve të saj shkojnë në Amerikë.

Kjo shifër ndoshta do të rritet edhe më shumë nëse Kanadaja rrit prodhimin e mineraleve me rëndësi kritike.

Disa nga bizneset që shtrihen në kontinent janë në rritje. Në selinë e kompanisë së tij në Vaughan, Ontario, Rob Wildeboer nga firma Martinrea, që prodhon pjesë këmbimi për automjetet, ka vendosur në zyrën e tij një shishe tekila nga Meksika dhe një fotografi të madhe të një ndeshjeje hokej mbi akull, sporti më popullor në Kanada.

Në të ardhmen, ai parashikon një kontinent më të integruar, ku firma do të jetë në gjendje të sjellë punëtorë nga Meksika në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, për periudha të shkurtra. “Do të jetë shekulli i Amerikës së Veriut”, thotë ai.

Kujdes me shifrat

Të dhënat ekonomike sinjalizojnë se duhet pasur kujdes. Prodhimi në Amerikën e Veriut vlen rreth 2.5 trilionë dollarë në vit. Në Azi, është rreth 7.5 trilionë dollarë.

Vetëm sektori i fabrikave në Kinë është rreth 20 herë më i madh se ai i Meksikës. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se SHBA nuk po përpiqet të joshë të gjitha industritë për t’u larguar nga Kina.

Përkundrazi, ajo është përqendruar në sektorë si bateritë dhe gjysmëpërçuesit, që i sheh si veçanërisht të rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe të ardhmen ekonomike. Nuk do të jetë e lehtë. Por me Kanadanë dhe Meksikën si aleatë, shanset për sukses janë më të mëdha.

Përktheu: Lira Muça