Thu, Aug 21, 2025

“Rama krijoi skandalin ndërkombëtar të radhës”, Berisha për mëmën e kryeministrit për turistët italianë: Kësaj i thonë kur fluturon me mullar mbrapa

  • PublishedAugust 12, 2023

TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson një skandal ndërkombëtar të radhës publikimin e kryeministrit Edi Rama të një memeje për emigrantët shqiptarë në 1991 dhe turistët italianë në 2023.

Në një postim në facebook, Berisha shkruan se ky krahasim skandaloz zgjoi me të drejtë për tre ditë me radhë reagime të shumta në mediat, por edhe në politikën italiane, teksa dje ministri i Bujqësisë të Italisë, Francesco Lollobrigida reagoi ndaj krahasimit qesharak me një deklaratë para mediave.

Sipas tij, kësaj i thonë kur fluturon me mullar mbrapa.

POSTIMI I PLOTË
Kësaj i thonë kur fluturon me mullar mbrapa.
Ka njerëz që nuk mësojnë kurrë!
Miq, Edi Rama sikur të ishte një UFO dhe jo një tokësor, krijoi këto ditë skandalin ndërkombëtar të radhës. Ai duke krahasuar të pakrahasueshmet, publikoi me krenari në llogarinë e tij facebook dhe mediat e tij, një meme me foton e eksodit biblik të gushtit 1991. Së bashku me një foto të një trageti me turistë italianë që vijnë këtë verë për pushime në Shqipëri dhe kjo me nënkuptimin keqdashës se -ja ku kemi arritur ne tani dhe ku jeni katandisur ju italianët.

Paçka se shqiptarët në vitin 1991 po largoheshin nga Shqipëria si njerëzit më të rraskapitur të planetit nga diktatura hoxhiste, kurse italianët në traditën më fisnike të njeriut po vinin për të kaluar disa ditë pushime në vendin fqinj. Ky krahasim skandaloz zgjoi me të drejtë për tre ditë me radhë reagime të shumta në mediat, por edhe në politikën italiane. Sot ministri i Bujqësisë të Italisë, Francesco Lollobrigida reagoi ndaj krahasimit qesharak dhe skandaloz të Edi Ramës me një deklaratë para mediave: ai (Rama shën. i imi) e di mirë që ka kaq shumë për të mësuar nga Italia, ne kemi kaq shumë për t’i mësuar, por të gjithë duhet të qëndrojnë në gamën e cilësisë që i takon atij dhe Italisë dhe Pulias.

Të dashur miq, problemi nuk është kaq i thjeshtë sepse ka njerëz si Rama që nuk mësojnë kurrë dhe janë të gatshëm ne çdo rast për skandale apo të themi shqip të fluturojnë me mullar mbrapa.

 

AlbaniaWeb.net