Sat, Apr 26, 2025

FOTO/ “Çfarë Zonje e bukur”, mediat përkëdhelin ekipin e Allegrit: Juve ëndrrash

  • PublishedAugust 21, 2023

Juve dhuron spektakël në premierën e tyre në Serie A. Ekipi i Allegrit ishte i papërmbajtshëm në start duke “çmontuar” Udinesen në transfertë me rezultatin e pastër 0-3, një sfidë ku i mjaftoi vetëm një pjesë lojë për të hipotekuar tre pikët. “Zonja e Vjetër” i falet dyshes Chiesa-Vlahovic, dy sulmuesit dukeshin në formë të shkëlqyer. Dy minuta lojë i mjaftuan dyshes torineze për të gatuar golin e parë, Vlahovic shërbeu për Chiesa-n me këtë të fundit që me një goditje të fortë nga distanca kaloi Juven në avantazh. Në minutën e 20-të, Juve fitoi një 11-metërsh për prekje të topit me dorë në zonë. Nga pika e bardhë e penalltisë, Vlahovic u tregua i saktë duke dyfishuar shifrat. Në fundin e pjesës së parë, Rabiot me kokë realizoi golin e tretë duke mbyllur llogaritë me Udinesen. Fraksioni i dytë ishte një formalitet për Juven me bardhezinjtë që thjeshtë administruan rezultatin.

Shijon këtë sukses Max Allegri, kjo ishte fitorja e 250 e tij në stolin e “Zonjës së Vjetër”, trajneri i dytë me më shumë fitore: “Është një motiv krenarie që e mësojë nga ju, të jesh pas një legjende si Trapattoni është diçka speciale”, u shpreh Allegri në konferencë për shtyp duke shtuar: “Duhet të përmirësojmë në mbajtjen e topit, kjo duhet bërë në gjysmëfushën e kundërshtarit. Të jesh jashtë Champions League është një mungesë e rëndësishme, do të na mungojë dhe nuk e mohoj dot”, theksoi Allegri që vlerësoi ndër të tjera paraqitjen e dyshes Vlahovic-Chiesa.

Suksesi i Juves në start ka pushtuar faqet e para të mediave italiane: “Çfarë Zonjë e bukur”, shkruan La Gazzetta. “Juve në maksimum”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport. “Juve ëndrrash”, shkruan TuttoSport.

()

AlbaniaWeb.net