Përçarja e demokratëve/ Boçi: Non-grata nuk ishte shkaku i ndarjes. Alizoti: Me Bashën ka qeshur gjithë parlamenti, flet sikur është…
Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me takimin mes deputetëve demokratë të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit dhe bashkëpunimin e tyre në të ardhmen.
Boçi u shpreh se shkak për ndarjen e demokratëve nuk ka qenë shpallja non-grata e Sali Berishës , por humbja asokohe në zgjedhje nga PD.
Sa i përket takimit të fundit mes Berishës dhe Gazment Bardhit, Boçi tha se ky ishte një takim i shumë pritur nga demokratët, por shtoi se bashkimi është një proces që duhet të vazhdojë.
“Bardhi ka qenë i artikuluar për luftën ndaj qeverisë, si në parlament edhe në media e deklarata. Vendin për të bërë luftën politike e ka pasur edhe Basha, le të vinte dhe të artikulohej. Flasim për ekzistencë politike. Këtu u bë një gabim, u tha që takimi nuk ka efekt në aspektin elektoral. Demokratët mezi e kanë pritur një takim të tillë. Procesi i bashkimit duhet të vazhdojë.
Pro amerikanizmi po shpallet në mënyrë banale këtu. Dalja nga parlamenti nuk ka marrë miratimin e amerikanëve besoj asokohe. Shkaku i përçarjes nuk ishte non-grata, por humbja e PD-së. Kriza nisi që në mënyrën si u zgjodh Basha kryetar. Po sikur të kishim fituar ne, a do kishte përçarje? Ishte humbja pra shkaku kryesor. Non-grata është një çështje personale, e kemi sqaruar”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër deputeti i PD, Tomor Alizoti është shprehur me tone të forta kundër Lulzim Bashës, duke thënë se me këtë të fundit “ka qeshur i gjithë parlamenti”.
Ai u shpreh me ironi se Basha flet sikur të jetë ish-presidenti amerikan Dwight Eisenhower, ndërsa njëkohësisht e quajti “të marrë politik”.
“Berisha është shpallur non-grata, nuk ka logo, është nën embargo. Pse i shkojnë njerëzit Berishës dhe jo Lulzim Bashës? Basha është i marrë politik, flet sikur është Eisenhower-i. Berisha është politikan i zoti. Vjen dikush aty dhe thotë bunkeri atomik. Futu në garë dhe merre kryesinë. Basha sot është njeriu më qesharak i PD-së, ka qeshur gjithë parlamenti me të. Si do vijë Basha në parlament dhe të thotë se është kryetar grupi kur ne nuk e njohim?
Ka një grupim anti berishist te demokratët, por nuk përfaqësohet nga Lulzim Basha. Basha sot për mua është produkt hileqar i gjykatave të Ramës për të shkatërruar PD-në”, tha ai.