Kuvendi miraton pa debat ndryshimet në qeveri
Me shumicë votash, deputetët socialistë miratuan ndryshimet e qeverisë, duke votuar dekretet e presidentit Bajram Begaj për shkarkimin e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, asaj të Bujqësisë, Frida Krifca dhe të Arsimit, Evis Kushi si dhe 2 ministreve pa portofol; Edona Bilali dhe Milva Ikonomi.
Kundër shkarkimit të Xhaçkës votoi vetëm deputeti Erjon Braçe.
Ministrja Delina Ibrahimaj u shkarkua nga Ministria e Financave dhe u emërua në atë të Sipërmarrjes, ndërsa Ogerta Manastirliu la ministrinë e Shëndetësisë për të marrë portofolin e Ministres së Arsimit. Gjithashtu, socialistët votuan pro emërimit të Igli Hasanit në krye të Ministrisë së Jashtme, Ervin Metes në krye të Financave, Anila Denajt te Bujqësia, Albana Koçiut te ministria e Shëndetësisë dhe Arbjan Maznikut në një dikaster të ri pa portofol për pushtetin vendor.
Deputetët e opozitës votuan kundër emërimeve të reja, ndërsa kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në seancën e votimit.
Pas seancës parlamentare, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi denoncoi mungesën e debatit.
“Shqiptarët e kanë kuptuar që sado makiazh të bëjë të kabinetit, vulën e korrupsionit nuk e heq dot. Problemi i kësaj qeverie nuk janë anëtarët e kabinetit, por Rama,” deklaroi Bardhi.