Fri, Sep 20, 2024

Muzika e miqve dhe Kosmos Tirana Music Festival

  • PublishedOctober 21, 2023

Tirana e fund dhe fillim javës që kaloi ishte e tejmbushur me ngjarje: Takime politike, të Samitit të procesit të Berlinit; ndeshja (miqësore) e kombëtares dhe një shumësi aktivitetesh kulturore. Në fakt, ka disa kohë tanimë që jetën kulturore të kryeqytetit e karakterizon një lloj gjallërie frenetike, e cila përgjithësisht ka si modus operandi “festivalin”: festivale filmi, festivale letrare, festivale baleti, festivale letërsie, muzike, kulinarie, shpesh edhe duke iu mbivendosur njëri-tjetrit. Edhe pse disa mund të mbajnë emra pak më të veçantë (Queer film Marathon, Wednesday in Jazz), prapëseprapë skema ngelet po ajo: një seri e organizuar performancash të një formati të caktuar. Sigurisht, mund të mos ketë asgjë problematike në ekzistencën e tyre. Gjithsesi, në këtë frenezi festivalizimi ajo që bëhet e domosdoshme për t’u diskutuar është komunikimi mes festival-bërësve dhe publikut që merr pjesë, a sjellin këto ngjarje diçka përtej ritualit të performancës që shkon në seri. Çfarë ndodh “pasi shuhen dritat”, si është shprehur diku gazetarja

Shtysën për të reflektuar rreth këtij “festivalizimi” e mora pikërisht nga një Festival muzikor, i cili u zhvillua gjatë kësaj fund/fillim jave: . Ky aktivitet drejtohet nga , violinist i njohur me origjinë shqiptaro-greke, me një karrierë shumë të pasur dhe të suksesshme koncertale në botë. Festivali i kushtohet muzikës së dhomës, asaj krijimtarie e cila dikur interpretohej në një ambient privat (dhomë, sallon, prej nga merr edhe emrin) dhe që me zhvillimin e muzikës artistike europiane-perëndimore, nënkuptoi vepra muzikore të krijuara për një grup të vogël instrumentistësh. Ndër ta, më karakteristiku ishte trioja (piano, violin, cello) dhe kuarteti i harqeve (dy violina, violë dhe violonçel). Megjithatë, krahas tyre, gjejmë një shumëllojshmëri kombinimesh. Duke filluar nga shek. XVII deri më sot, këto kanë shërbyer si një hapësirë frymëzuese për kompozitorë e interpretues për të ndërvepruar me njëri-tjetrin përmes tingullit. 

Jonian Kadesha ia kushton festivalin këtij lloj ndërveprimi. Ky ishte edicioni i dytë i tij dhe për tri mbrëmje radhazi (15-17 tetor), nëntë artistë interpretuan vepra të spikatura të kësaj gjinie. Secili prej muzikantëve pjesëmarrës ka një karrierë të pasur koncertale, e cila, është edhe lehtësisht e dëgjueshme përmes platformave online. Disa prej tyre luanin edhe në role të dyfishta (për shembull, violinë e violë). Ndërkaq, “ekipit” të këtij edicioni i ishte bashkuar , kitarist klasik kosovar, i mirënjohur dhe i vlerësuar gjerësisht. Çeku interpretoi si solist (me “Trois morceaux carácteristiques” të dhe Sonatën për violinë solo no. 2 të Bach-ut, përshtatur për kitarë solo) dhe në ansambël. Në këtë pozicion, erdhi një vepër e përveçme dhe një kompozitor po aq i përveçëm: Kuinteti opus 143, për kitarë e kuartet harqesh nga Mario Castelnuovo-Tedesco, autor i sprovuar në krijimet për kitarë (rrjedhojë e miqësisë së ngushtë me Andrés Segovia-n), por edhe në gjini të tjera. Kjo vepër – e shkruar në një frymë të përbashkët neo-klasike dhe neo-romantike – u luajt për herë të parë në Shqipëri.  

Në vitin e kaluar, secila prej mbrëmjeve të Kosmos Tirana Music Festival ishte konceptuar rreth një ideje përbashkuese të programit. Të tilla ishin: përralla, vdekja dhe kujtesa, kontrastet e jetës, fantazia. Ndërsa sivjet, festivali u zhvillua nën shenjën e miqësisë, ajo që të lidh përmes muzikës dhe njerëzores. Për këtë Kadesha rimerr, me sa duket, përkufizimin e famshëm të Richard Walthew-t për muzikën e dhomës, si “muzika e miqve”. (Ndër të tjera, ky përkufizimi ka përvijuar edhe një qasje specifike ndaj interpretimit dhe studimit të këtij zhanri si “traditë” e mënyrë të menduari). 

Pikërisht këtë lloj “miqësie” e transmetuan në mënyrë frymëzuese instrumentistët interpretues. Ngjan si diçka e lehtë, por, në fakt, ajo nuk lind vetiu. Përkundrazi, vjen, nga një anë, si rrjedhojë e një pune kostante me tingullin si dije e trupëzuar – deri në atë pikë sa instrumenti bëhet njësh me trupin e njeriut dhe, nga ana tjetër, si sinergji për të luajtur muzikë së bashku. E dëgjojmë Kadeshën dhe “miqtë” të luajnë vetëm dhe së bashku, në kombinime të ndryshme – nga duo deri në sekstet. Nga këto do veçoja sidomos Kuartet për harqe nga dhe Piano Kuintet, op. 29, nga . Ishin dy vepra me një forcë ekspresive që akumulohet së brendshmi, që jep e merr me kontraste, emocionalitete, të cilat nuk dalin në sipërfaqe, por zhvillohen intonativisht brenda një tensioni të brendshëm. Por edhe ata autorë që i përkasin kanonit klasik-romantik, erdhën me vepra disi të përveçme dhe që nxisin reflektim (Sonat[in]a no. 2, D385 e Schubert-it, për violinë e piano; Trio harqesh no. 2, op. 9 e Beethoven-it, apo Trio pianistike op. 63 e Schumann-it.)

Interpretime të tilla të lënë të kuptosh që “miqësia” për këta muzikantë nuk do të thotë thjesht të luash me një person që e konsideron shok/shoqe, mik/mikeshë, partner ose partnere. Loja e këtyre muzikantëve arrinte deri aty sa ta ndjente tjetrin (muzikor e njerëzor) së brendshmi dhe kjo ishte edhe forca e madhe magnetizuese që ata kishin me publikun/dëgjuesin. 

Mbrëmjet koncertale ishin një sfidë për të dyja palët. Publiku shqiptar, qoftë edhe ai i specializuar, është mësuar tradicionalisht me një program më të kursyer në kohë. Por, edhe interpretimi i muzikantëve për 3 netë radhazi, mbarte me vete ngarkesa të caktuara, pavarësisht faktit që për ata, kjo lloj kohëzgjatjeje koncerti është normale përtej gjeografisë shqipfolëse. Mirëpo, pikërisht këtu qëndronte edhe sfida e vetë Kadeshës. Në ngjizjen e festivalit, ideja e tij nuk ishte ajo e një serie të organizuar performancash, në të cilën publiku dhe muzikantët kryenin ritin e zakonshëm performativ; disa ikin, të tjerë vijnë. Për të, duhet të ishte një përbashkim forcash e idesh, që muzikantët pjesëmarrës duhet ta realizonin përmes provave të vazhdueshme që bënin gjatë ditëve të festivalit; kurse, publiku gjatë procesit të angazhuar dëgjimor të tri koncerteve rresht. Ndërkaq, vlen të shtojmë se, krahas koncerteve, aktiviteti përfshiu edhe master-class-e për nxënës e studentë, që kishin si referencë muzikën e dhomës dhe transmetimin e bashkëndarjen e kësaj qasjeje “miqësie muzikore”. 

Në këtë mënyrë, Kosmos Tirana Music Festival për mua, arriti të sfidojë së brendshmi cliche-të e një formati të shpërdoruar, do të thoja në jetën kulturore shqiptare. Ndërkohë ai kthen vëmendjen tek një praktikë interpretimi relativisht e mënjanuar. Me shumë pak përjashtime, jeta koncertale e muzikës së dhomës në Shqipëri nuk është e lëvruar. Ne nuk kemi formacione të traditës, të cilat të mund të ofrojnë një jetë të qëndrueshme koncertale me referencë muzikën e dhomës. Vërtet, kanë ekzistuar dhe ekzitojnë kuartete apo formacione dhome të krijuara miqësisht ose mes kolegësh. Ekziston gjithashtu edhe kurrikula përkatëse e muzikës së dhomës pranë Universitetit të Arteve. Por, asnjë nuk ka arritur ta bëjë që kjo traditë interpretimi të ketë një jetë të vetën në hartën kulturore shqiptare; jo më të arrijë deri aty sa formacione të tilla t’u shërbejnë kompozitorëve shqiptarë si laborator për të sprovuar në këtë gjini, gjë që ka ndodhur në vende të tjera europiane (madje, fillimisht kanë qenë kompozitorët vetë edhe interpretues në këto formacione). 

E kjo gjë bëhet duke iu dhënë frymëmarrje aktiviteteve si Kosmos Tirana Music Festival dhe jo duke ua reduktuar fondet vit pas viti. Me keqardhje konstatoj se nuk ka dhënë mbështetje për këtë edicion të dytë, ndërkohë që do të pritej që nga ai rreth i ngushtë muzikantësh, ky lloj aktiviteti të mund të përfshinte edhe një publik jo muzikant, sikundër edhe të zgjeronte edhe më shumë hapësirën e master-classe-ve.  

Kadesha, të paktën deri tani, ka treguar se nuk vjen në Shqipëri për t’u ekspozuar si “aset kulturor” që vendi e ka ekportuar në Perëndim. Ai vjen në kuadër të asaj që di të bëjë mirë, me profesionalizëm, por edhe me dëshirën për ta bashkëndarë me të tjerët. Dhe duke e bërë një gjë të tillë ai arrin ta mbajë publikun të lidhur fort me të, si edhe e treguan mbrëmjet koncertale. Ishte një ambient relativisht i sajuar koncertal, si holli i Universitetit të Arteve, me një publik të ulur në shkallët e tij, me kurriz nga dyert e sallës së porsa-ristrukturuar të koncerteve, që pret heshturazi të inaugurohet më 20 tetor. Por, ama ai rezultoi shumë mikpritës e intim, në cilësinë akustike të kësaj tipologjie performance dhe në pritshmëritë që publiku i pranishëm aty, arriti të formësohej si komunitet festivalor.

Në gjullurdinë e aktiviteteve të shumta politike, sportive e kulturore, Kosmos Tirana Music Festival solli interpretime unike nga kjo traditë muzikore, sikundër edhe përcolli mesazhe kuptimplota për atë çka do të thotë miqësia, puna, përkushtimi dhe dinjiteti profesional në muzikë. Këto mesazhe mendoj se meritojnë të shpërndahen edhe për ata që nuk ishin të pranishëm në këto mbrëmje koncertale dhe që personalisht, uroj të kenë mundësinë që të na frymëzojnë edhe në vijim. 

është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Tiranë.