Fri, May 10, 2024

Festivali i parë i këngës në Kosovë

  • PublishedNovember 1, 2023

Në datat 26-27-28 tetor u zhvillua , një produksion i Radio Televizionit të Kosovës (). Për tri net konkurruan 18 këngë, të cilat ishin përzgjedhur përmes një thirrjeje të hapur. Fitues i Festivalit u shpall Arbër Salihu, i njohur edhe si , me këngën “”. Në vend të dytë u rendit Angus Dei me “Një zemër për dy”, ndërsa në të tretin Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”. Veç këtyre u nda edhe “Çmimi i Orkestrës”, që i shkoi Saranda Alijas me “Mendoj ku je”.

Drejtimi i këtij Festivali i ishte besuar Adi Krastës, aktualisht zv/drejtor i përgjithshëm i RTK-së. Krasta ishte njëherazi edhe prezantues i këtij edicioni, në partneritet me Besim Dinën, komedian, autor i emisionit “Oksigjen”. Dy figurave mashkullore iu bashkuan pranitë femërorë të, fillimisht, Edona Kasapollit (prezantuese dhe producente), pastaj këngëtares Anjeza Shahini (nata e dytë) dhe, në finale, të Edona Reshitajt (aktore dhe këngëtare).

“Peshën” e drejtorit artistik të këtij Festivali e mbajti , kompozitor, producent, me një punë relativisht të konsoliduar edhe në produksionet festivalore. Dhe dallohej menjëherë kujdesi i posaçëm që Boshnjaku kishte treguar ndaj formacionit orkestral të Festivalit. Ai kishte afruar figura përfaqësuese të skenës muzikore kosovare, duke filluar nga drejtuesit e orkestrës: dhe , të cilëve iu ishte bashkuar Alfred Kaçinari nga Shqipëria. Po kështu, vlen të përmenden edhe pjesëtarët e orkestrës që luajti së gjalli (live) gjatë tri netëve: Ilir Bajri në tastierë, Nesim Maxhuni (bateri), Astrit Stafai e Valon Gashi (kitarë) etj.

Edhe pse në fokus kryesor ishte kuadri kosovar, Festivali nuk ishte mbyllur gjeografikisht, por kishte bërë bashkë gjeografinë shqipfolëse muzikore, qoftë sa i takon organizatorëve; këngëtarëve e krijuesve në garë, ashtu edhe të ftuarve që përshëndetën ngjarjen.

Prej shumë vitesh tanimë ideja e themelimit të një festivali ka qenë në qendër të vëmendjes të institucioneve të ndryshme kulturore kosovare. Por, përpjekjet nuk kishin marrë trajtë përfundimtare deri këtë vit. Dhe në fakt, nuk është një ndërmarrje e lehtë. Festivali është një ngjarje sa muzikore, aq edhe kulturore e sociale, deri edhe një akt i caktuar politik, i cili, ngelet i lidhur ngushtë me shtetin e institucionet e tij. Kjo vihej re te angazhimi i madh i institucioneve qeveritare qendrore e vendore. Për vetë rrethanat si funksionon muzikëbërja në vende si Kosova dhe Shqipëria, kuadri shtetëror ngelet i vetmi i mundshëm për t’i dhënë stabilitet dhe qëndrushmëri ekzistencës së tij.

Ndër aktet më domethënëse të këtij angazhimi të parë institucional e shtetëror ishte vendi i zgjedhur: Pallati i Rinisë. Kjo strukturë arkitektonike, e njohur fillimisht si pallati “” u ngrit në mesin e viteve ’70-të si qendër multifunksionale. Ajo përfshinte disa hapësira për manifestime të ndryshme sportive, kulturore, ekonomike, përgjithësisht të një natyre masive. (Për më tepër, nga historiku i godinës mësojmë edhe se ngritja e një strukture të tillë, në atë periudhë i tejkalonte mundësitë financiare të komunës dhe kanë qenë vetë prishtinalijtë që kanë kontribuar me një përqindje të caktuar nga të ardhurat e tyre për ta përfunduar). Në vitin 2000, salla e madhe e Pallatit të Rinisë u shkatërrua për shkak të një zjarri. Prej atëherë, ajo ishte përdorur vetëm si parkim, ndërkohë që inertet kishin pushtuar një pjesë të hapësirës. Festivali u mbajt pikërisht në këtë sallë, e cila u sistemua dhe restaurua posaçërisht. Duke u rijetësuar për edicionin e parë të Festivalit të Këngës, kjo hapësirë iu rikthye kështu edhe komunitetit qytetar.

Në një nivel më të ngushtë muzikor, të organizosh një festival kënge do të thotë që vetë kënga të futet brenda një kornize institucionale dhe t’i përshtatet atij modeli produksioni që parashtron ky lloj formati. Modeli i përdorur edhe në këtë rast ishte po ai që përdoret edhe në Shqipëri dhe që bazohet te Festivali i Sanremo-s (sidomos nga ana e produksionit muzikor) dhe Eurovision Song Contest (për pjesën e spektaklit dhe skenografisë). Skenografia për këtë rast ishte realizuar nga Shqipe Kamberi e Rudina Xhaferi dhe ishte konceptuar tërësisht me projeksione. Ndërsa orkestra ishte vendosur poshtë skenës, në nivel me publikun dhe e ndarë: në njërën anë orkestra simfonike dhe në anën tjetër i ashtuquajturi “seksioni ritmik” me instrumente të muzikës bashkëkohore akustike, elektrike dhe elektronike.

Krahas teknikaliteteve muzikore, një festival kënge nënkupton para së gjithash që të pranosh që t’i nënshtrohesh garës dhe sfidës për të kënduar direkt në skenë. Kjo e fundit përbën një shkak të vazhdueshëm refuzimi për shkak të vështirësive dhe sfidave që mbart. Janë, para së gjithash, defiçitet e teknologjive të zërit të cilat, megjithë përpjekjet apo praninë e një inxhinieri zëri profesionist, mbeten “thembra e Akilit” në performancat “live”.

Gjithsesi, këtu nuk është çështja vetëm te stonimi, apo problemet me zërin që, sërish, dolën në pah edhe te ky Festival. Çështja është edhe te qëndrimi specifik në raport me skenën dhe publikun, si një referencë në skenën muzikore relativisht kaotike shqipfolëse.

Në një situatë ideale, do të duhej që këngëtarët “e mëdhenj” të mos kryenin vetëm një ritual përshëndetjeje si të ftuar. Madje, një artiste si Alma Bektashi nuk mund të paraqitej në Festivalin e pare të këngës me një cover të Abba-ve. Po ashtu, Irma Libohova, apo edhe Kamela Islamaj e Teuta Kurti. Edhe arti i të kënduarit cover ka kontekstet e veta dhe këtu nuk është çështje nacionalizmi të tipit “të këndojmë këngët tona”. Për mua, cover-i i një kënge është tregues individualiteti, sa edhe një qëndrim estetik e artistik ndaj artit të vetvetes dhe të tjetrit që e ka kënduar më përpara (shembulli kuptimplotë ishin cover-at e Salihut dhe Dedës).

Nga ana tjetër, në një rast të tillë, deri diku simbolik, marrja pjesë në një Festival që krijohet për herë të parë do të ishte, krahas profesionalizmit të të kënduarit në skenë, edhe një akt simbolik; një mbështetje që vjen, pse jo, edhe nën shenjën e vitalitetit të brendshëm që çdo këngëtar duhet ta ketë pavarësisht karrierës së gjatë ose jo.

Në festivalin e parë të këngës në RTK, ata që kishin pranuar “të përballeshin” me sfidat ishin kryesisht të rinjtë, për të cilët skena ofron mundësi promovimi. Mes numrave në garë kishte materiale relativisht naive, sprova që nuk e kalonin pragun e skemave shabllon të këngës pop, sikundër edhe u veçuan disa këngë më të realizuara sa i takon detajeve, stilit dhe origjinalitetit (nga këto, veç atyre që u vlerësuan dhe me çmime, do të doja të përmendja edhe Urban Band me “Ëndrrat s’kanë faj”.

Për këtë lloj mangësie të repertorit ishin të vetëdijshëm të gjithë ata që merreshin me pjesën muzikore, duke filluar nga Boshnjaku vetë, që e vuri në dukje gjatë Post-Festivalit. Ai komentoi ndër të tjera edhe për rezervat që përgjithësisht këngëtarët “e mëdhenj” kanë ndaj Festivalit dhe sa e vështirë është t’i bindësh për të garuar. Ndër të tjera, edhe vetë fituesi i këtij edicioni, Arbër Salihu kishte pasur dyzimet e veta edhe pasi kishte dorëzuar këngën.

Pavarësisht se thirrja është e hapur, vetë drejtori artistik i festivalit bën një “negocim” të vazhdueshëm për të afruar emrat në zë tek Festivali. Nuk ka gjë të keqe në këtë drejtim. Madje, ndonëse nuk artikulohet asnjëherë publikisht, roli i udhëheqësit të festivalit dhe drejtorit artistik janë thelbësorë. Në mungesë të shtëpive diskografike të cilat i ofrojnë festivaleve të ndryshme në Europë produktin si paketë, ideja e porositjes së këngëve në këtë lloj forme ngelet një kusht i domosdoshëm për festivalbërjen shqiptare, jo më për një edicion të parë.

Edhe ky edicion i parë festivali më tregoi sërish se një festival kënge nuk është në asnjë rast një ndërmarrje neutrale dhe një festë, ku gëzojnë të gjithë. Ndonëse arsyet për të festuar nuk munguan, Festivali i këngës, si e kam vërejtur edhe në shkrime të tjera, është një arenë tensionesh e përballjesh. Kjo ka të bëjë me të drejtën për të bërë zgjidhje dhe për të mbajtur qëndrime të caktuara.

Festival ishte konceptuar si një “shpikje tradite”, si diçka që nis nga fillimi, megjithë nderimin patriotik që dëgjohej në hyrje.

Kur bie fjala te “tradita” kam parasysh para së gjithash një ngjarje muzikore e cila nuk mund të anashkalohet kaq lehtë. Ky manifestimi festivalor daton qysh në vitin 1963 thuajse paralelisht me Festivalin e Këngës. (Një historik të përmbledhur mund ta gjeni te kjo website e përgatitur nga Enis Bytyqi dhe Tringa Sefedini studentë antropologjie të Universitetit të Prishtinës, https://festakordet.com )

Këtë qëndrim e përforcoi edhe më shumë Adi Krasta gjatë post-festivalit, duke specifikuar se Akordet e Kosovës nuk ishte një aktivitet i lirë, por i zhvilluar nën umbrellën e Ish – Jugosllavisë dhe si i tillë nuk do kishte vlerë të bashkoheshin këto aktivitete (https://www.youtube.com/watch?v=Pw_KrjJL5Uw – nga 01:35:00).

Personalisht, nuk do të ndaja të njëjtin qëndrim. Kosova, sa ka nevojë të shpikë një traditë, aq edhe ka nevojë që t’i kthejë vetes ato vlera të një trashëgimie njerëzore e artistike që ka pasur dhe që madje edhe brenda kornizës multi-etnike jugosllave nuk i janë njohur asnjëherë ashtu si duhet. Këtë e tregoi mjaft qartë momenti kur Genc Salihu dhe Shpat Deda interpretuan repertor të prejardhur nga kjo trashëgimi (konkretisht nga grupi “ dhe “Lindja” si dhe “Kënga e bilbilit, nga Isuf Gërvalla). Këto interpretime e elektrizuan sallën, sepse përmes tingujve i flasin kulturës dhe historive njerëzore.

(https://www.youtube.com/watch?v=6xCofznsibo https://www.youtube.com/watch?v=t8bKm6hJvSU)

Dhe nuk janë vetëm Akordet e Kosovës, por edhe një periudhë e errët si ajo e viteve ’80-’90-të, kur muzikëbërja në Kosovë u zhvillua në kushtet e një jete paralele urbane, nën shenjën  rezistencës ndaj shtetërores dhe publikes muzikore represive të kohës. Ishte një periudhë kur gëluan shumë gjini muzikore, një trashëgimi e të cilave janë artistët dhe muzika që dëgjohet sot në Kosovë. Gjatë kësaj kohe shumë këngëtarë kosovarë iu drejtuan Festivalit të Këngës në RTSH. Mirëpo, Shqipëria, e hallakatur me hallet e veta post-diktatoriale, nuk arriti dot ta rrokte këtë lloj realiteti dhe atë çka mbartnin performancat “ndryshe”, fjala vjen, të Armand Rexhipagiçit, apo Adelina Ismajlit.

Në këtë pikë Shqipëria dhe Kosova ndahen shumë nga muzikëbërja dhe nuk ka pse të na shqetësojë ky dallim, përkundrazi, duhet të na bëjë kureshtarë për të mësuar më shumë rreth asaj çka ishte ndryshe. Nuk ka nevojë që të marrim vazhdimisht si referencë ngjarjet e Sanremo-s. Italianiteti sanremez dhe në përgjithësi kënga e lehtë italiane ngelet gjithmonë një “dobësi” e Adi Krastës, e njohur nga të gjithë. Fakti tregon se ai nuk ka të njëjtin impakt te publiku i Kosovës, siç e ka pasur me Shqipërinë. Ndërkohë, një vesh i kujdesshëm, e merrte përgjigjen ironike “kosovare” ndaj këtij italianiteti te intepretimi i Genc Salihut i këngës Italia nga grupi Lindja.

Sidoqoftë, rruga ka nisur dhe sfidat po ashtu. Një nga mesazhet më kuptimplota të këtij edicioni nën drejtimin e Krastës ishte të punuarit me përkushtim, pasion dhe merak. Për Kosovën, ishte një ngjarje domethënëse dhe e shumëpritur. Në respekt të vazhdimësisë së kësaj tradite “të re”, mendoj se vetëm duke gjetur pikat e brendshme të takimit mes së shkuarës dhe aktualitetit, me mbështetjen e atyre që përbëjnë bërthamën e tij (këngëtarët e krijuesit e muzikës) kjo ngjarje do të ketë fytyrën e vet dhe jo imazhin e maskuar, që shfaqej përpara se të hapej skena. Nuk do të perceptohet si “një vëlla i vogël” i festivalit të RTSH-së, si u shpreh drejtori Alfred Peza, por si një skenë që di të jetë vetvetja në arealin ballkanik shqipfolës dhe si e tillë, në një të nesërme, do të mund të qëndrojë edhe në skenën me jo pak “kurthe” të Eurovizionit.