“U befasova”! Terroristë mes emigrantëve? Rama: Mos kini frikë
Kryeministri Edi Rama u kërkon shqiptarëve në gjuhën italiane që të mos shqetësohen për emigrantët që do të vijnë në Shëngjin. Në një intervistë për “Corriere” sepse në shqip ende nuk ka folur për vendin e tij, kreu i qeverisë u pyet nëse ka rrezik që mes emigrantëve të ketë terroristë.
“Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë. Thjesht duhet të kemi vullnetin dhe kujdesin për të përmbushur këtë angazhim duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe rregullat e vendosura për funksionimin e këtij operacioni të përbashkët, të cilat përfshijnë edhe kontrollin nga agjencitë e sigurisë të të dy vendeve” tha ai.
Marrëveshja ngjalli debat të fortë edhe në Itali dhe në media qarkulloi lajmi se Partia Demokratike Italiane, që është e qendrës së majtës do të kërkonte përjashtimin e PS-së shqiptare nga internacionalja socialiste Europiane.
“Kam qenë i befasuar. Ata kanë të drejtë të kundërshtojnë dhe kritikojnë qeverinë e tyre, por nuk ka asnjë arsye për të përfshirë socializmin dhe ekzekutivin shqiptar. Qeveritë vijnë e shkojnë, interpretimet e socializmit ndryshojnë, por Shqipëria dhe Italia janë gjithmonë aty, të lidhura pazgjidhshmërisht në ditët e mira dhe të këqija” tha Rama.
