Diplomati gjerman: Kosova të bëjë përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i ka bërë thirrje Prishtinës zyrtare që të bëjë edhe më tej përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, duke shtuar se ajo ka qenë e përkushtuar “në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Në një takim në Komisionin për Integrim Evropian, Rohde tha se sfiduese për Kosovën mbetet lufta ndaj korrupsionit, reforma e administratës publike dhe sundimi i ligjit.
“Gjermania i ka ofruar asistencë të madhe shtetit të Kosovës në arritjen e reformave…Kosova ka mbetur e përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por duhet akoma përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura,” ka thënë ai.
Ambasadori gjerman është shprehur se është bërë progres i kufizuar në sesionet parlamentare, duke përmendur mungesën e bashkëpunimit mes partive për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Raporti për Kosovën duhet të shihet që të na kujtojë të gjithëve se cilat reforma duhet të bëhen që Kosova të avancojë në qëllimin e saj që të bëhet anëtare e BE-së. Reformat nuk duhet bërë vetëm nga qeveria, por edhe nga Kuvendi,” shtoi diplomati.