Gjykata: Beqaj duhet burgosur, ka bërë më shumë shkelje se ata dy që janë në qeli
Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk është dakord me prokurorin e SPAK-ut që kërkoi dy masat e lehta të sigurisë, detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit për ish-ministrin Ilir Beqja. Gjyqtari Erjon Bani thotë se masa më e përshtatshme që arrin të sigurojë nevojat e procedimit penal të nisur është ajo e “arrestit në burg”.
“Ndodhur në këto kushte, Gjykata vlerëson se për personin nën I.B. (Ilir Beqja) masa më e përshtatshme që arrin të sigurojë nevojat e procedimit penal të nisur, për të garantuar mospërsëritjen e së njëjtës vepër penale, largimin e tij, marrjen dhe vërtetësinë e provave si dhe për të garantuar ekzekutimin e dënimit me burgim që mund të caktojë gjykata e themelit në rastin konkret, për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprave dhe autorit në rastin konkret, është ajo e “Arrestit në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale” thuhet në dosje.
Gjithashtu gjykata rrëzon prokurorin Edvin Kondili që e ka shpëtuar për herë të dytë Ilir Beqjan. Prokurori vendosi dy masa të lehta, por gjykata thotë se Beqja duhej në burg sepse dyshohet jo vetëm për shpërdorim detyre, por edhe falsifikim.
“Cilësimi juridik i faktit penal i bërë nga prokurori dhe i sjellë për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak, është i gabuar. Për arsyet e cituara në paragrafët 169.25.4, 169.25.4.1 dhe 169.25.4.1 të këtij vendimi, Gjykata çmon se në respektim të parimit të ligjshmërisë dhe cilësimit të drejtë të faktit penale të sjellë nga prokuroria për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim I.B. krahas figurës së veprës penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal, ka konsumuar edhe elementët e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve. Gjykata i konsideron jo proporcionale në raport me rrezikshmërinë e theksuar të faktit, pasojave që kanë ardhur në rastin konkret dhe mënyrës se si ka vepruar personi nën hetim në procedurën e konҫesionit. Roli, përgjegjësia dhe intesitetit i shkeljeve të kryera nga personi nën hetim I.B. është më i madh se i personave nën hetim K. R. dhe I.R. për të cilat prokuroria ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale” thuhet në dosje.