Kronologjia hap pas hapi, si e porositi burri vrasjen e gruas, çfarë dihet deri tani?
30-vjeçarja Liridona Murseli u privua nga jeta derisa ishte në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, dhe dy fëmijët. Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, 29 nëntor, rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Familja Murseli, sipas deklaratës së kryefamiljarit Naimi Murseli, dyshohet se u përball fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe pas të shtënave me armë zjarri, lanë të vdekur 30-vjeçaren.
Ndërsa, Naim Murseli bashkë me fëmijët kishin arritur që të largohen nga vetura.
Liridona, e cila ishte viktimë e kësaj tragjedie, u varros këtë të premte në Cërmjan të Gjakovës.
Po në këtë ditë u arrestuan tre të dyshuar për vrasjen e Liridonës, bashkëshorti i viktimës Naim Murseli dhe personi që dyshohet se ia mori jetën G.P (Granit Plava) dhe një tjetër i përfshirë në vrasje, që është pjesëtar i FSK-së.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve ka thënë se do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore.
“Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast, thuhet në njoftim.
Sipas raportimeve në media, autori që dyshohet se ka kryer vrasjen, e ka pranuar në polici veprën dhe ka thënë se është paguar nga Naim Murseli për të kryer krimin.
Bazuar në këto raportime, edhe vetë Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij te i dyshuari G.P.
Dyshohet se Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës./ Telegrafi