E PLOTË/ Argumentet e dy grupeve të PD-së në Kushtetuese: Pse duhet të anulohet pakti me Italinë
Ditën e sotme ashtu sikur e kishin paralajmëruar më parë, dy grupet e PD-së kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen me Italinë për emigrantët që parashikohet që të vijnë në Shqipëri prej vitit tjetër. I pari ishte grupi i PD-së zyrtare. Nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku tha se kjo marrëveshje u shpall në mënyrë të çuditshme dhe se nuk ka pasur asnjë transparencë nga ana e kryeministrit Edi Rama. Për këtë arsye kërkoi që të zhbëhet.
“Marrëveshja u shpall në një mënyrë të çuditshme, e pa njoftuar, zgjoi një reagim të logjikshëm shqetësimi, ka qenë objekt i thellë diskutimi debati publik në vend dhe Itali. Në dallim nga trajtimi i marrëveshjes në Itali, në Shqipëri ka munguar transparenca nga kryeministri. Rama ja ka dalë të fshihet herë duke përdorur kaosin parlamentar, duke shmangur debatin publik. PD si pas asaj që premtuan që në orën e parë, i është drejtuar GJK me tre kërkesa”, tha Çollaku.
Tre kërkesat e padisë së Partisë Demokratike
- Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë “PROTOKOLL NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”.
- Pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e “PROTOKOLL NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”.
- Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 të Kushtetutës dhe Ligjit Nr.43/2016“Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” të marrëveshjes së së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë “PROTOKOLL NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”.
Më pas ishte grupi i Sali Berishës që me firmën e 30 deputetëve përmes deputetes së Lezhës, Lindita Metaliaj e dorëzuan ankimin në Gjykatën Kushtetuese. “Kjo ka të bëjë me Ramën, që ka vendosur që Shqipërinë dhe shqiptarët ta trajtojë si pronë të veten. Ai nuk mund të vendosë për fatin tonë. Jemi falënderues dhe mirënjohës qeverisë italiane për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. S’ka të bëjë me marrëdhënien me Italinë, do jenë edhe më të mira, por presim vendimin e GJK se a pajtohet ky protokoll me Kushtetutën e Shqipërisë”, tha Metaliaj.
Argumentet e padisë së grupit Berisha
- Ky protokoll është negociuar dhe nënshkruar në mungesë të autorizimit nga Presidenti i Republikës, cka është një kusht thelbësor referuar neneve 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës së Shqipërisë, Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese (vendimi nr. 15/2010).
- Protokolli është nënshkruar pa u botuar në Fletoren Zyrtare për miratimin në parim, cka do të thotë se nuk kishte akoma fuqi ligjore. Nënshkrimi pa një vendim në fuqi të Këshillit të Ministrave për miratimin në parim vjen në kundërshtim me kuadrin ligjor të brendshëm për marrëveshjet ndërkombëtare.
- Protokolli është negociuar dhe nënshkruar në mungesë të konsultimeve dhe bashkëpunimit me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB për refugjatët, që vjen në kundërshtim me nenin 35 të Konventës së Gjenevës. Në një reagim publik, Zyra e Komisionerit është shprehur se nuk jemi pjesë dhe as nuk kemi dijeni për këtë marrëveshje.
- Protokolli shkel dhe cënon të drejtat që Kushtetuta e Shqipërisë, iu njeh të huajve. Në kuptim të nenit 16 të Kushtetutës, të huajt gëzojnë të drejta njësoj si shtetasit, me përjashtim të atyre që lidhen me shtetësinë. Ndërsa Protokolli iu mohon kësaj kategorie të huajsh cdo të drejtë që Kushtetuta shqiptare garanton për cdo individ në Republikën e Shqipërisë.
- Protokolli parashikon kufizimin e padrejtë të lirisë, cka vjen në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 5 të Konventës Evropiane. Ndërkohë që këta individë do të qëndrojnë të mbyllur për një kohë të pakufizuar, atyre nuk iu garantohet asnjë e drejtë ankimi për të kundërshtim burgosjen e tyre. Referuar jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut, mbajtja e shtetasve të huaj ose pa shtetësi për një kohë të pakufizuar të mbyllur, pa ndonjë arsye të vecantë, dhe pa iu nënshruar rishikimit gjyqësor, përbën një shkelje flagrante të nenit 5 të Konventës Evropiane të të Drejtave të NJeriut. Këtë shqetësim e ka ngritur me forcë Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Këshilli Evropian për Refugjatët dhe Migrantët, Amnesty International, si dhe 29 organizata vendase dhe të huaja, në një letër publike, ku i kërkojnë qeverisë shqiptare tërheqjen nga kjo marrëveshje.
- Në kuadër të Konventës së Gjenevës, shteti shqiptar ka detyrimin që të ofrojë mbrojtje ndërkombëtare për shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi që e kanë të nevojshëm, duke garantuar një sërë të drejtash për ta.
- Protokolli cënon parimin e barazisë.
- Kushtetuta e Shqipërisë, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa e Gjenevës, jurisprudenca e GJEDNJ, por edhe vendimi i Gjykatës së Lartë Britanike së fundmi, e ndalojnë kategorikisht dëbimin kolektiv të të huajve, si dhe dëbimin individual të personave që mund t’iu kërcënohet liria dhe jeta padrejtësisht.
- Shteti shqiptar nuk mund të justifikohet se përgjegjësinë për mënyrën e trajtimit të këtyre individëve e ka shteti italian, sepse sic ka theksuar Gjykata e Strasburgut në vendimin Jamaa kundër Italisë, asnjë shtet anëtar i Këshillit të Evropës nuk përjashtohet nga përgjegjësia për respektimin e të drejtave sipas Konventës, për sa kohë që këta individë gjenden në territorin e saj.
- Shteti shqiptar ka detyrimin që të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas dispozitave të Kushtetutës, Konventës Evropiane, Konventës së Vjenës, Konventës së Gjenevës dhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut. Ky Protokolli përbën një nga rastet më flagrante të shkeljes së një tërësie të drejtash dhe lirish që garantohen nga Kushtetuta dhe e drejta ndërkombëtare.
Në zbatim të pikës 3, të nenit 52, të ligjit organik për Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit, duhet të vendosë pezullimin e menjëhershëm të procedurave parlamentare për ratifikimin e këtij Protokolli, deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës.
