LIVE-Greqia veto, Rama: Nuk tërhiqem, jam krenar edhe nëse na bllokon
Socialistët zhvilluan ditën e sotme Kongresin e cilësuar të jashtëzakonshëm që kishte në thelb një paradë të arritjeve në një dekadë në pushtet. Pas gati 7 orësh fjalime në disa panele, në podium u ngjit Edi Rama. Kryeministri tha se na duhen tre garanci për të ecur përpara.
“Shqipëria nuk është aspak jashtë rrezikut të rikthimit mbrapa nëse ne nuk do të fokusohemi me të gjithë forcën e ambicies, vëmendjes tek krijimi i garancive të progresit pa kthim dhe ndalim.
Vetëm merrni me mend sikur ne të mos jemi këtu dhe të tjerë të jenë në vendin tonë, se me çfarë shpejtësie mund të zhbëhet ky progres. Ne na duhen tre garanci; një vend gati për t’u anëtarësuar në BE, fryma e modernizimit dhe një forcë qeverisëse e përkushtuar ndaj kapitalit njerëzor të shoqërisë.
Dua ta besoni se për ne asgjë nga këto që u thanë dhe panë nga mëngjesi dhe deri tani nuk mund të jetë mjaft. Ne do të ndërtojmë më shumë infrastrukturë, por duhet të kemi një drejtësi dhe qeverisje europiane” tha ai.
Injoroi rivalët. “Disa kundërshtarë as të gjallë dhe as të vdekur, të cilat, fitore, aq sa vlejnë duke na dhënë mundësinë të udhëheqim vendin, aq mund të na ulin nivelin e kërkimit ndaj vetes duke e lënë progresin pa asnjërën nga të trejat garancitë. Nëse PS nuk e ngre më lart kërkesën ndaj vetes atëherë nuk ka kush e bën gati Shqipërinë për t’u integruar në BE” tha Rama.
Tha se progresin e Shqipërisë e kanë përshëndetur 26 vende nga 27, me përjashtim të Greqisë për të cilin kishte disa fjalë për çështjen e Fredi Belerit që e mban peng. “Vetëm një shtet e ka lënë ende pezull opinionin e vet, jo për rezultatet e pamohueshme të Shqipërisë, por për një arsye të mos arsyes tradicionale ballkanike. Greqia. Historia dihet. Nuk ka nevojë të humbasim kohë.
Qëndrimi ynë as nuk ndryshon deri në 13 Dhjetor dhe as nuk do të ndryshojë përtej 13 Dhjetorit. Ky qëndrim nuk do të ndryshojë, jo sepse ne jemi kokëfortë, por sepse arsyeja për të mos ndryshuar qëndrim, është shumë më kokëfortë sesa ne. Drejtësia për Shqipërinë është si uji, që sapo ka nisur të dalë nga një shkretëtirë. Nuk do të pranoj që të besoj se fqinjët tanë do t’i vendosin tapën e vetos shishes.
Në rast se kjo ndodh, unë nuk do të kthehem nga Brukseli i mërzitur. Asnjë fije, ju siguroj. Por do të kthehem edhe më krenar për Shqipërinë, edhe më i motivuar. Për të vazhduar së bashku punët e mëdha. Edhe më i bindur se një absurditet i tillë nuk do ta vonojë procesin e integrimit tonë në BE asnjë ditë” tha ai.
