Zbulohen emrat e rinj të “Big Brother”, ish-çifti i famshëm konfirmon pjesëmarrjen
Edhe pak javë na ndajnë nga nisja e “Big Brother Vip Albania”. Lajmin e ka bërë të ditur vetë faqja zyrtare e spektaklit përmes një postimi në “Instagram”, duke treguar se “BBV” do të startojë në vitin 2024 dhe jo në dhjetor.
Megjithatë, përmes këtij postimi nuk i dhanë më shumë informacione për datën apo muajin që do fillojë ky “reality show”, duke e bërë më kuriozë publikun, të cilit nuk i ka mbetur asgjë tjetër veçse të presë edhe disa ditë që të zbulohen detajet e reja. Ndërkaq, në rrjet kanë nisur të përfliten edhe emrat e parë që do të jenë pjesë e kësaj gare.
“Panorama” solli javën e shkuar, edhe emrat e parë që janë konfirmuar tashmë si banorë të kësaj shtëpie. Emri i parë që konfirmohet si banor i “Big Brother” është pikërisht Albi Nako. Koreografi i famshëm i ka thënë po ftesës së produksionit, për të marrë pjesë në këtë reality show.
Një tjetër emër surprizë është ajo e balerinës dhe blogeres, Adel Lami.
Ndërkaq, një tjetër balerinë që përflitet si konkurrent është edhe ai i Gracianos. Aktualisht, Graciano kërcen me Fifin te “Dancing with the Stars”. Sakaq, emrat e tjerë që janë konfirmuar tashmë janë ai i Romeo Veshajt dhe Olsi Bylykut.
Por, tek Olsi Bylyku bëhet historia edhe më interesante, pasi bëhet me dije se pjesë e garës do të jetë edhe partnerja e tij, Egli Tako. Pasi çifti jetoi për rreth 4 vite një histori të bukur dashurie, ata i dhanë fund, pa shumë shpjegime. Ndërkohë, prej muajsh në rrjet, përfliten detaje nga kjo ndarje, duke aluduar për histori tradhëtish, sherre familjare dhe shumë detaje të tjera. Duket se dy ish-partnerët do t’i rikthehen sërish bashkëjetesës, vetëm se këtë herë me telekamera përpara, për të mësuar kështu më shumë detaje, por pse jo edhe për të pritur një ribashkim mes tyre.
Emra të tjerë që e kanë marrë ftesën për t’u bërë pjesë e spektaklit janë edhe Atalanta Kërçyku dhe Luixhino. Çifti aktualisht janë në garë tek “Dancing with the stars”, ndaj edhe ftesën për t’u bërë pjesë e programit e kanë marrë së bashku. Me gjasa, ky do të jetë edicioni i femrave seksi, pasi ftesë ka marrë përsëri edhe Roza Lati, Lei Kraja, si dhe Adelina Tahiri. Këngëtarja maqedonase duket se e ka pranuar këtë ftesë, ku do të bëhet pjesë e garës, pas ndarjes nga bashkëshorti i saj. Sakaq, prej kohësh në rrjet qarkulluan lajme se këtë sezon të ri të “Big Brother Vip” nuk do ta prezantojë Arbana Osmani.
Më pas zërat nisën të flisnin se moderimi i “BBVA” mbetej i paqartë, për shkak të një “ngërçi” mes administratorëve të televizionit dhe Arbanës, që mendohet se ka lidhje me negociatat mbi kompensimin financiar. Çështja është ende e pasigurt, por ekziston mundësia që të mos jetë Arbana Osmani, moderatorja e sezonit të ardhshëm. Një emër që mendohet se mund t’i besohet “BBVA-3” është Ledion Liço. Ky i fundit, prej kohësh i angazhuar si producent në “Top Channel”, mund të jetë gati për rikthimin në ekran, qasje që duket sikur vërtetohet edhe falë projekteve të fundit si “A live night” apo filmi “Në kuadër të dashurisë”./Panorama
