Tue, Nov 25, 2025

Trajnerët spanjollë komandojnë në Europë, mungon Seria A

Trajnerët spanjollë komandojnë në Europë, mungon Seria A
  • PublishedDecember 20, 2023

Trajnerët spanjollë sundojnë ligat kryesore vetëm pak ditë larg kalimit të gjysmës së sezonit. Të mësuar të jenë shumica në La Liga (këtë sezon, vetëm pesë nga 20 trajnerët janë të huaj) në vitet e fundit ata kanë kaluar në Premier League, Serie A, Bundesliga dhe League 1. Pep Guardiola (Mançester Siti) ka komanduar me dorë të hekurt në Premier ku ka fituar tre herë radhazi kampionatin anglez (dhe 5 nga 6 të fundit) siç bëri më parë në Bundesligë me Bajernin e Mynihut duke ngritur tre herë radhazi “Maisterschale”.

Unai Emeri, tani i zhytur në projektin e tij për krijimin e historisë me Aston Vilën, fitoi kampionatin francez me PSG-në në vitin 2018. Arritje këto që mund të shumëzohen me 4 në sezonin aktual. Fakti është se katër nga pesë kryesuesit e pesë ligave kryesore në Europë drejtohen nga trajnerë spanjollë. Trajnerët spanjollë janë të parët në të gjitha kampionatet, përveç Serisë A, ku nuk ka asnjë. Gjithçka fillon me La Liga, ku aktualisht kampionati drejtohet nga Girona me në krye një trajner madrilen, Miçel. “Na mungojnë edhe dy ndeshje për t’u mbyllur faza e parë. Deri më tani kemi treguar se jemi në një nivel me Realin, Barçën e Atletikon. Kampionati jonë është ndeshje pas ndeshje dhe kur të arrijmë në javën e 30-të mund të them se ku mund ta mbyllim”, tha ai pas suksesit 3-0 të së hënës kundër Alaveshit.

MIKEL ARTETA – Për trofeun më të lakmuar në Premier shkon dhe Arsenali i Mikel Artetës. “Kam një objektiv, të arrij ndërmjet 96 dhe 100 pikëve. Kështu mund të fitohet Premier Liga. Kjo është ku duhet të arrijmë”, tha trajneri bask. “Topçinjtë” rivalizuan deri në fund Sitin në sezonin e kaluar, duke u dorëzuar në metrat finale. Ndërsa tani në pritje të nisjes së periudhës më të ngjeshur me takime, Arsenali i Artetës kryeson Premier Ligën me një pikë më shumë se Liverpuli.

LEVERKUSENI I ALONSOS – Leverkuseni është një skuadër e shkëlqyer, por në kabinetin e trofeve i mungon një titull kampion në Gjermani. Dhe këtë vit “Aspirinat” e kanë marrë seriozisht dhe me Ksabi Alonson në krye kërkojnë titullin në Gjermani për të thyer dhe “diktaturën” e Bajernit. “Është ende herët. Ne duhet të tregojmë qëndrueshmëri afatgjatë”, tha ish-lojtari i Sociedadit, Liverpulit, Realit të Madridit dhe Bajernit. Skuadra e tij është e para në Bundesligë me katër pikë dhe një ndeshje më shumë se gjiganti bavarez, fitues i 11 titujve të fundit. Për më shumë Leverkuseni është i vetmi klub në pesë ligat kryesore që nuk njeh humbje në kampionat.

LUIS ENRIKE – Nëse Alonso kërkon të bëjë histori me Leverkusenin, Luis Enrike kryeson kampionatin francez me PSG-në dhe do të kërkojë të konfirmojë titujt e fundit. Pas një nisje të turbullt Parisi qëndron në krye.