Mon, May 13, 2024

Hetimi i SPAK ekspozon përdorimin e Kadastrës për të siguruar vota në zgjedhje

  • PublishedApril 27, 2024

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi të shtunën rezultatet e hetimeve ndaj disa zyrtarëve të Kadastrës dhe personave të tjerë të akuzuar për përgatitjen e listave të zgjedhësve në fushatën zgjedhore vendore të vitit 2019 dhe detyrimin për të përcaktuar mënyrën e votimit në këmbim të punës, ose të pajisjes me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje në zonën e Saukut në Tiranë.

Një zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës me inicialet A.O. dhe kryeplaku i Lagjes së Re në Sauk të Tiranës u morën nën hetim për veprat penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të kryera në bashkëpunim.

“…Këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta, për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë,” thuhet në njoftim.

Po ashtu, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të votuesve, fakte që sipas prokurorisë kanë rezultuar nga përgjimet e bisedave telefonike.

Nën hetim është marrë edhe një jurist i ASHK, Tirana Jug, shtetasi A.H., si dhe Y.B. në rolin e sekserit që akuzohen për veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim. Në njoftimin e SPAK sqarohet se këta persona, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejtë të shpërblimit në të holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të katër shtetasve. Prokuroria thtoë se po hetohet dhe për persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Ndërkohë, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” për zyrtarin e ASHK dhe kryeplakun si dhe arrest shtëpie dhe detyrim për paraqitje për dy të akuzuarit e tjerë.