Fri, Mar 20, 2026

Panairi dy ditor/ Ekselenca Italiane e ushqimit dhe e verërave mbërrin në Tiranë

Panairi dy ditor/ Ekselenca Italiane e ushqimit dhe e verërave mbërrin në Tiranë
  • PublishedMay 8, 2024

Më 13 dhe 14 maj, në Tiranë vjen “Eccelenze Italiane”, panairi i enogastronomisë i organizuar nga Infinity World Consulting. Dy net të dedikuara prezantimit, shijimit dhe ekspozimit të produkteve dhe verërave më të mira agroushqimore italiane. Sipas organizatorëve ky panair do të jetë një mundësi unike për të vlerësuar cilësinë dhe larminë e jashtëzakonshme të produkteve italiane dhe për të krijuar lidhje të rëndësishme në sektorin agroushqimor dhe të prodhimit të verërave.

Vera gatit zemrat e i bën më të gatshme për pasionin, shkruante poeti romak Ovidi. Prej shekujsh e shekujsh njeriu është magjepsur e dehur, ka adhuruar zotat e pijes e të dëfrimit e mijëra e  i ka kushtuar mijëra e mijëra vargje lëngut të rubintë.

Në kohën kur prej deteve nuk kishte më piratë ilirikë apo flota romake e historianë e njerëz të shquar që sillnin këtyre viseve, bashkë me amforat edhe magjinë likuide të rrushit shpikur nga Baku a Dionisi, ishin detarët ata që ndonjëherë sillnin fshehurazi produkte, që thuajse ngriheshin në kult nga kjo anë e izoluar e Adriatikut dhe prej viteve ’90, bizneset në Shqipëri janë munduar të importojnë më të mirën nga vendi ku ushqimi i mirë dhe vera e çmuar janë art.

Sot, Ekselenca Italiane udhëton drejt Shqipërisë, duke sjellë më të mirën e enologjisë dhe gastronomisë së gadishullit Apenin.

Më 13 dhe 14 maj, në Tiranë vjen “Eccelenze Italiane”, panairi i enogastronomisë i organizuar nga Infinity World Consulting. Dy net të dedikuara prezantimit, shijimit dhe ekspozimit të produkteve dhe verërave më të mira agroushqimore italiane.

Sipas organizatorëve ky panair, i cili do të mbahet në hotel “Dynasty” në kryeqytet, do të jetë një mundësi unike për të vlerësuar cilësinë dhe larminë e jashtëzakonshme të produkteve italiane dhe për të krijuar lidhje të rëndësishme në sektorin agroushqimor dhe të prodhimit të verërave.

Me pjesëmarrjen e prodhuesve dhe shpërndarësve nga e gjithë Italia, “Eccellenze Italiane” do të promovojë cilësinë dhe origjinalitetin e prodhimeve italiane në tregun shqiptar.

Sipas Giuseppa Adamo, presidente e Infinity World Consulting, do të jetë një mundësi për të zbuluar tendencat e fundit në sektorin agroushqimor, si edhe për të ndërtuar partneritete të reja tregtare, mes prodhuesve e distributorëve italianë e bizneseve vendase.

Eventi do të përfshijë sesione degustimi nën guidën e ekspertëve të sektorit, duke iu ofruar pjesëmarrësve mundësinë e çmuarjes së pasurisë së shijeve dhe aromave italiane. Për më tepër, panairi do t’u japë mundësinë vizituesve të eksplorojnë një gamë të gjerë të prodhimeve të cilësisë së lartë, me prejardhje nga rajone të ndryshme të Italisë, si një mënyrë për të shijuar dhe degustuar Italinë brenda Tiranës.

Përmes kësaj nisme, vijon Adamo, synohet përforcimi i lidhjes mes dy vendeve, duke vlerësuar ekselencën italiane e duke favorizuar shkëmbimin e njohjeve dhe përvojave. “Jemi të sigurt se ky panair do të jetë një rast i jashtëzakonshëm për të frymëzuar dhe përfshirë publikun shqiptar, duke krijuar një urë domethënëse mes dy kulturave tona”, përfundon Adamo, e cila përmes këtyre nismave sheh përpara për të prezantuar në Shqipëri produkte dhe marka të ekselencës “Made in Italy”.

Dikur shqiptarët e preknin Italinë përmes valëve të largëta të televizionit apo atyre produkteve që mbërrinin fshehur në portin e Durrësit, prej detarëve. Sot, përmes këtyre nismave më e mira e Italisë mbërrin në tryezat tona, përmes produkteve të certifikuara, me traditë të gjatë e prestigj që i kapërcen edhe kufijtë e fqinjit në bregun përballë. E siç besonte Leonardo da Vinci, shumë lumturi ka për burrat që lindin aty ku gjenden verërat e mira.