Mon, May 20, 2024

“Procesi i pakthyeshëm”, SHBA e BE me mesazhe për reformën në drejtësi

  • PublishedMay 10, 2024

Përfaqësuesit e diplomasisë amerikane dhe asaj evropiane në Tiranë shfrytëzuan një konferencë mbi ditën e drejtësisë të mbajtur të premten në Tiranë për të siguruar publikun e gjerë por edhe funksionarët e sistemit të drejtësisë për mbështetjen për Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përkundrejt deklaratave me nënkuptime të funksionarëve të ndryshëm të maxhorancës socialiste dhe spekulimeve se mund të vendoset nën sulm nga të dyja krahët e politikës, siç duket, të pakënaqura me hetimet e deritanishme mbi korrupsionin, abuzimin me detyrën apo shkeljen e barazisë në tenderë.

I ngarkuari me Punë i SHBA-në në Shqipëri, , u shpreh se “Reforma në Drejtësi dhe suskseset e saj janë të pakthyeshme” ndërsa nuk i kurseu lavdet për rezultatet e deritanishme.

“Ne presim tërësisht që institucionet që u krijuan 112 vjet më parë, u krijuan më 2016, do të jenë këtu për një kohë të gjatë. Nuk ka diskutime për këtë sepse është populli shqiptar që është shprehur se e do këtë,” tha Wisner.

Duke iu drejtuar zyrtarëve të sistemit të drejtësisë, Wisner tha se “puna juaj për të përmirësuar qeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin janë premtuese.” Por ai shtoi se “më shumë duhet të bëhet nga politikanët, nga institucionet dhe nga çdokush që është i interesuar për një demokraci më të fortë në Shqipëri.”

I njëjti mesazh u përcoll dhe nga ambasadori i BE në Tiranë, i cili tha se “reforma në drejtësi duhet çuar para dhe këto rezultate duhet t’u shërbejnë qytetarëve”.

“Reforma në drejtësi është e pakthyeshme, dhe arritjet e SPAK duhet të jenë të tilla”- theksoi ai duke shtuar se “BE e mbështet sistemin e drejtësisë dhe do të mbrojë të gjithë institucionet e drejtësisë”.

Mesazhet e kumbarëve të kësaj reforme që u miratua në vitin 2016 me konsensus politik vijnë në një moment kur ka zëra nga mazhoranca që aludojnë për një jetëgjatësi afatshkurtër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK).

Një javë më parë gjatë një interviste në Televizionin Publik ministri i Drejtësisë e cilësoi këtë strukturë si të përkohshme me afat 9-vjeçar, ndërkohë që prokurorët kanë një mandat 9-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.

Deklaratat shumëkuptimëshe dhe spekulimet se dy palët kryesore politike mund të kenë rënë dakord pas dyerve të mbyllura për ndryshime ligjore që mund të cënojnë Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionet besohet se sakaq kanë krijuar pasiguri mes prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët përballen rregullisht me sulme apo me opinione negative nga të dyja krahët e politikës.

Çështja kryesore në diskutim është fati i prokurorëve të SPAK pasi mandati i tyre kushtetues mbaron. Ky mandat është nëntëvjeçar. Dy ide kryesore qarkullojnë në këtë kontekst, njëra që prokurorëve të SPAK t’u lejohet një mandat i dytë ose pa afat dhe tjetra që në fund të mandatit, të mund t’u garantohet një vend pune në prokurorinë e apelit të Tiranës.

Puna e SPAK ka krijuar shqetësime në të dyja krahët e politikës me hetimin e ish-zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Së fundmi mazhoranca ka ndërmarrë një iniciativë për një komision të posaçëm parlamentar bipartizan për të analizuar punën e drejtësisë dhe për të ndërmarrë reforma të reja, që sipas saj, do të ndihmojë në luftën anti-korrupsion. Ndonëse socialistët këmbëngulin që përpjekja e tyre nuk synon të godasë SPAK, vetë diskutimi nëse synon apo jo duket se mjafton për të krijuar presion të papërshtatshëm mbi ta.

Wisner tha se SHBA do të mbështesë përpjekjet për reforma por la të kuptohet se këto reforma duhet të jenë “në përputhje me Kushtetutën dhe pavarësinë e gjyqësorit.”

Partnerët perëndimorë të Shqipërisë, SHBA dhe BE, janë përballur disa herë në të shkuarën me maxhorancën qeverisëse në lidhje me pavarësinë e sistemit gjyqësor. Në rastin më domethënës, në dhjetor të vitit 2022, ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim bëri disa deklarata të tensionuara në lidhje me procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të SPAK dhe paralajmëroi për rrezikun e ndërhyrjes politike në proces ndërsa kryeministri Edi Rama iu përgjigj në një rast duke thënë se kreun e SPAK “nuk e zgjedh ambasada.”