Mon, May 20, 2024

Projektligji për surrogacinë/ Berisha kundër, akuzon Ramën: I ka vënë vetes mision shkatërrimin e kombit shqiptar

  • PublishedMay 10, 2024

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha pavarësisht se në arrest shtëpie për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani, nëpërmjet një lidhje skype ka diskutuar sot me përfaqësues të Aleancës për Familjen dhe deputetë të PD e PL mbi projektligjin për surrogacinë.

Berisha akuzoi qeverinë duke e konsideruar këtë projektligj si plan për shkatërriimin e kombit shqiptar, ndërsa solli në vëmendje edhe shpopullimin e vendit.

“Një përshëndetje të përzemërt kam për deputetin Tritan Shehu, deputetin Petrit Vasili dhe të gjithë ata, të cilët në momentet më të para të shfaqjes së kësaj nisme, do ta quaja pa abuzim në semantikë, nismë monstruoze, çnjerëzore, antishqiptare të një regjimi që i ka vënë vetes mision historik shkatërrimin e kombit shqiptar më shumë se rreth 40 pushtime që ky komb ka njohur në shekuj dhe mijëvjeçarë. Regjimit të Edi Ramës. Pas instalimit të një kuadri politik shpopullues të këtij vendi, kuadër që ju imponoi rreth 35 përqind të shqiptarëve të braktisin vendin e tyre në një hark kohor 8-vjeçar”- u shpreh Berisha.

Mes të tjerash, ish-kryeministri akuzoi kreun aktual të qeverisë duke e akuzuar se ka qëllim shkatërrimin e familjes shqiptare me të njëjtat teza si Vasa Cubrilloviç.

“Kuadër që zëvendësoi sigurinë dhe ligjin me antishtetin dhe narkoshtetin, tani në përputhje të plotë me doktrinën e Çubrilloviçit, i cili në epiqendër të betejës kishte nënën shqiptare, ky famëzi që në histori ka ekuivalent vetëm Edi Ramën, kishte përcaktuar si objektiv kryesor nënën shqiptare për të shkatërruar kombin shqiptar.

Edi Rama në angazhimin e tij, ky antishqiptar në çdo aspekt, në angazhimin e tij për rrënimin e këtij kombi zbret tani në themelimin e kombit. Në themelin e shoqërisë, në shenjtërinë e kombit dhe të shoqërisë, familja. Ai zbaton doktrinën e një monstre tjetër të njerëzimit pas Karl Marksit, Xhorxh Sorosit. Midis doktrinës komuniste për familjen në finalen e ndërtimit të shoqërisë dhe doktrinës së Xhorxh Sorosit, ndryshojnë vetëm termat, por rezultatet janë të njëjta”- shtoi kreu i Rithemelimit.

Në përfundim të diskutimit, Berisha bëri thirrje ndaj Bashkimit Europian për ndalimin e një projektligji të tillë.


AlbaniaWeb.net