Sat, Jan 10, 2026

Gabimi i opozitës në Himarë, analiza e Ergys Mërtirit: Në momentin qe vendos të kandidosh njerëz që janë me elemente antishqiptarë…

Gabimi i opozitës në Himarë, analiza e Ergys Mërtirit: Në momentin qe vendos të kandidosh njerëz që janë me elemente antishqiptarë…
  • PublishedAugust 17, 2024

Mallkimi i humbjes së zgjedhjeve të  pjesshme  vijon të përndjekë demokratët, por për analistët politikë kjo nuk është arsyeja e disfatës së thellë që opozita mori në Himarë më 4 gusht.

Problemin Ergys Mërtiri e sheh tek kandidati Petro Gjikuria që Sali Berisha dhe Ilir Meta bashkë me Vangjel Dule i ofruan himarjotëve.

“Në momentin qe ti vendos të kandidosh njerëz që janë me element të qartë antishqiptarë, kanë marrë pjesë në organizata antishqiptare, të cilët pozojnë me flamuj të Vorio-Epirit, çfarë është e dënueshme me Kushtetutë sepse ti po ushtron një veprimtari që kërkon cënimin e territoreve të  vendit, është marrëzi dhe çmenduri e papranueshme”, shprehet Mërtiri.

Zgjedhjet e pjesshme  e rikthyen Bashkinë e Himarës te Partia Socialiste. 15 muaj nga vendoret e fundit, mazhoranca arriti të rikuperonte terren përballë opozitës, madje duke korrur një fitore të thellë. Po,  kush ia dha fitoren Vangjel Tavos?

 Mërtiri shton: “Opozita ka rënë deri në këtë derexhe sa nuk e meriton të fitojë, pastaj pse humbi është se mesazhet që u  ka përcjellë  shoqërisë janë mesazhet e një organizate,  e cila nuk ka për qëllim të fitoje por  ka për qëllim të mbijetojë lideri i cili është  i dënuar në izolim, dhe i izoluar ndërkombëtarisht, më një këmbë në burg le te themi”.

Megjithëse është i dënuar të mos zbresë në tokë, Sali Berisha do  të udhëheqë nga banesa e tij, Partinë  Demokratike drejt zgjedhjeve të pranverës duke mos e fshehur as ambicien për të qenë  ai  kandidati për kryeministër i opozitës.

“Sali Berisha nuk ka shanse të vijë në pushtet as në kushte normale sepse 13 vite më parë humbi në mënyrë spektakolare  me 1 milion vota kundër pra humbi duke qenë në pushtet, pavarësisht që unë mendoj qe Rama është lehtësisht i rrëzueshëm. Se një qeveri me kaq skandale dhe kaq probleme sa është kjo çdo opozitë do e kishte ëndërr ta kishte përballë”, përfundon Mërtiri.

Partia Demokratike  ka vendosur  te mos njohe humbjen ne Himarë edhe pse Partia  Socialiste e mundi  me 1477 vota diference. Shpresat e demokrateve për të ripërseritur procesin është KAS,  i cili ka caktuar 21 Gushtin për shqyrtimin e ankimimit për pavlefshmëri zgjedhore në Himarë.



AlbaniaWeb.net