Zhvillimi rural është një mjet efektiv për të luftuar varfërinë dhe reduktuar pabarazinë
NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ
opozitës u fokusua tek efekti elektoral i propozimit të mazhorancës për anulimin/faljen e gjobave. Në projektligjin e iniciuar nga maxhoranca vlerësohet se janë rreth 3200 përfitues individë dhe fermerë. Shuma për t’u falur është rreth 24 miliardë lekë, ose rreth 692.100 lekë për individë. Maxhoranca e fokusoi debatin mbi efektet pozitive të kësaj mase në formalizimin e ekonomisë dhe zhvillimin e zonave rurale. Qëndrimi kundërshtues i opozitës bazohej në shqetësimet se disa politika të qeverisë si rritja e pagave, pensioneve, rritja e investimeve publike me theks tek efektet elektorale, falja e gjobave dhe legalizimet në prag të zgjedhjeve duhet të ishte paraprirë nga pozicioni i saj proaktiv për politikat dhe projektet alternative për zhvillimin e qëndrueshëm në zonat rurale. Keqpërdorimi i pushtetit për përfitime elektorale duhet dhe mund të minimizohet, por nuk mund të eliminohet. Asnjë parti politike në tranzicionin tonë nuk është e “virgjër” në keqpërdorimin e pushtetit për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Nga ana tjetër, pas një periudhe të gjatë tranzicioni, votuesit e kanë më të lehtë të bëjnë dallimin mes premtimeve reale dhe premtimeve të pambajtshme. Media ka sensibilizuar jo pak raste të mungesës së infrastrukturës kritike, si qendrat shëndetësore, shkollat, sistemet e vaditjes, kullimit dhe agropërpunimit dhe gjendjen e mjerueshme të infrastrukturës rurale.
Vendosja e gjobave dhe masave penalizuese për ndërtuesit informalë në zonat rurale në shumë raste ka qenë e palogjikshme, joekonomike, por edhe komike, kur ato përfshinin dhe kotecet e pulave.
Dënimet e larta penale dhe vendosja e gjobave të rënda, edhe në praktikat ndërkombëtare nuk konsiderohen zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata për uljen e informalitetit. Vetëm planet e zhvillimit rural, të cilat synojnë të shmangin keqpërdorimin e tokës dhe aseteve të tjera dhe të lehtësojnë procedurat e lejeve të ndërtimit dhe ulin kostot burokratike të lejeve përkatëse, mund t’i ndihmojnë banorët në zonat rurale të përdorin pronat e tyre me mençuri dhe efikasitet për të rritur të ardhurat reale me të cilat ata duhet të jetojnë më të mirë. Gjatë gjithë historisë së planeve të zhvillimit ekonomik, informaliteti është reduktuar gradualisht duke i paraprirë zhvillimit me planet e rregullimit të territorit dhe planet zhvillimore, të cilat janë dy shtyllat e reduktimit të informalitetit dhe të zhvillimit rural. Në zonat rurale duhet të synohet demokratizimi i të ardhurave. Çdo banor në këto zonat duhet të asistohet dhe ndihmohet të përdorë lirisht pronat dhe bizneset e tij për të përmirësuar standardet e jetës dhe statusin social. Por, nëse pengohet pronësia e tokës, nqs mungojnë plane rregullatore, nëse nuk legalizohen/formalizohen ndërtimet informale që nuk cenojnë planet rregullative dhe zhvillimore të zonës, nëse lejet e ndërtimit pengohen dhe vonohen, nuk janë banorët ata që duhet të penalizohen.
Turizmi rural qartësisht ka një ofertë të ulët përballë kërkesës në rrije të turistëve të huaj, por edhe vendës. Qeveria në të dyja nivelet e saj duhet të përqendrojë të gjitha masat lehtësuese, zhvilluese dhe mbështetëse, pikërisht në zonat rurale. Të ardhurat familjare do të rriten, por edhe ekonomia në tërësi do të ketë përfitime të konsiderueshme nga ulja e papunësisë dhe varfërisë. Këto politika krijojnë premisat për kthimin e emigrantëve apo edhe uljen e shkallës së braktisjes së zonave rurale. Protestat në kryeqytetet kryesore evropiane kundër tejmbushjes së tyre nga flukset turisike po i detyrojnë qeveritë evropiane të marrin masa për të reduktuar numrin e turistëve.
Kjo “ndjenjë armiqësore” ndaj turistëve do t’i orientojë gjithnjë e më shumë flukset turistike në rritje drejt turizmit rural gjithëpërfshirës dhe gjithë vjetorë. Duke lehtësuar zhvillimi agro-turistik në zonat rurale, qeveria krijon premisa pozitive për banorët e këtyre zonave për t’i shpëtuar zinxhirit të ciklit të varfërisë. Mundësitë janë shumë më të mëdha se projektet aktuale apo subvencionimi i disa bujtinave në krahasim me investimet e domosdoshme për turistët e shumtë në zonat rurale. Zhvillimi rural është një proces kompleks dhe shumëdimensional, që ka një ndikim në jetën e miliona njerëzve në mbarë botën. Ekziston një lidhje e fortë dhe e studiuar midis rritjes së turizmit rural dhe rritjes së informalitetit. Nxitja dhe rritja e informalitetit ndodh sepse rritja e numrit të turistëve krijon një kërkesë të lartë për shërbime të ndryshme, si akomodim, ushqim, transportim dhe aktivitete rekreative. Shpesh, infrastruktura ekzistuese nuk është në gjendje t’i përballojë këto flukse sezonale, duke u bërë faktorë pengues në krahun e ofertës. Turizmi në shumë zona është sezonal, duke çuar në fluks të madh të kërkesave për shërbime. Kjo e bën të vështirë për bizneset të mendojnë dhe të investojnë, duke nxitur që informaliteti të lulëzojë. Prandaj masat e ashpra penale dhe gjobat e rënda nuk e reduktojnë informalitetin, por ushqejnë rritjen e korrupsionit. Ekonomisti peruian Hernando de Soto, i njohur për studimet e tij mbi informalitetin ekonomik, argumenton se shumë njerëz janë të varfër jo për shkak të mungesës së pasurive, por sepse pasuritë e tyre nuk janë formalizuar. Kjo i pengon ata të marrin kredi, të investojnë dhe të ngrihen në nivele sociale më të larta. Në këtë diskutim për (mos)faljen e gjobave duhet të theksojmë efektin negativ në kulturën e zbatimit të ligjit, ku përfshihet dekurajimi i atyre që paguajnë rregullisht çdo detyrim dhe shtimi potencial i moszbatuesve të ligjit duke pritur amnistinë e radhës në prag të zgjedhjeve pasardhëse.
Duke qenë se vendi ynë ka zgjedhje në çdo dy vite, duke qenë se fitoret bëhen më të vështira, politikanët do të përdorin gjithnjë e më shumë pjesën e karotës/faljes se sa të shkopit/respektimin e ligjit. Politikat e faljeve të detyrimeve në prag të çdo fushatë elektorale, lokale apo kombëtare, do të jenë të përhershme çka rrit riskun e “Moral hazard”, çka nënkupton rritjen e mospaguesve të detyrimeve ligjore.
Ky zinxhir negativ dhe varfërues nuk këputet me rritjen e dënimeve penale dhe gjobat e renda dhe as nga faljet e përsëritura. Lehtësimi ligjor i procedurave dhe kostove për biznes familjar, rritja e barazisë së mundësive për çdo banor të zonave rurale, krijimi infrastrukturës ligjore dhe fizike, skemat funksionale për mbështetjen dhe zhvillimin e turizmit rural mund të reduktojnë informalitetin më mirë, në mënyrë më efikase dhe më të qëndrueshme se politikat e rënda penale dhe administrative./Gazeta Panorama