Sun, Aug 17, 2025

“U paguan 650 mln euro fonde publike pa garë!”- PD reagon nga investigimi i emisionit “Vetting”: Shkelje me prokurorimet! Në 2023 dështuan 24% e procedurave, ja arsyeja

  • PublishedDecember 15, 2024

Pas investigimit të emisionit “Vetting”, ku u bënë publike shkeljet dhe abuzimet me Prokurorimet Publike, Partia Demokratike ka reaguar, duke u shprehur se 650 milionë euro fonde publike ndodhen në dorë të një grupi kompanish në vend.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, tha se KLSH-ja ka identifikuar dëmin prej 2 miliard e 550 milion euro shkaktuar nga shkeljet gjatë procesit të prokurimit vetëm për 4 vitet e fundit , ‘shifër kjo që do të dalë nga xhepat e shqiptarëve të thjeshtë.’

“Sipas analizës së emisionit investigativ “Vetting” në bashkëpunim me Open Procurement dhe ekspertë të fushës, procedurat me vlerën më të madhe monetare për periudhën 2020-2023 në shumicën prej tyre janë kryer pa garë, pasi kompanitë ofertuese janë skualifikuar ose ka pasur pjesëmarrëse vetëm një ofertues duke monopolizuar fondet publike, tek një grusht kompanish dhe duke lënë jashtë procesit të prokurimit shumicën e operatorëve të tregut e aq më shumë kompanitë e huaja”, thuhet ne reagimin e Vangjelit.

Referuar investigimit, PD thote se nga të dhënat e përpunuara nga “Open Data Albania”, rezulton se vlera totale e tenderave me flamur të kuq është 72,3 miliardë lekë.

“Në 4 vite 650 milionë euro fonde publike janë paguar në favor të  një grupi kompanish shpallur si fituese pa garë, të cilat fitojnë në mënyrë të përsëritur shumicën e tenderave dhe automatikisht gjenerojnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga institucionet publike.

Nga raportet e Agjencisë së Prokurimeve Publike evidentohet se vetëm për vitin 2023 janë realizuar 1218 procedura tenderash me vetëm një ofertues pjesëmarrës në garë dhe 24 % e procedurave kanë dështuar.

Sipas ekspertëve arsyeja reale e dështimit është sepse nuk janë shpallur fitues operatorët që autoritetet duan.

Këtë e tregon fakti që kompanitë e përfshira në tenderat me vlerat më të larta, të zhvilluara me procedurë të kufizuar apo negocime të drejtpërdrejtë, dhe jo vetëm, janë në pronësi të familjarëve të zyrtarëve të lartë  dhe me lidhje e përfitime të dyshuara të këtyre të fundit nga zhvillimi i procedurave të prokurimit, si rasti i kreut të KPP “.