Protesta e parë me Berishën të lirë, kreu i PD: Në të ardhmen nuk ka më diktaturë! Mosbindja civile është kodi i përmbysjes
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është bashkuar për herë të parë protestës së thirrur prej tij që kur është liruar nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Berisha, i cili ndodhet në rrugën e Elbasanit, së bashku me protestuesit e tjerë, është shprehur se “në të ardhmen nuk do të ketë diktaturë”, referuar kështu mazhorancës.
Sakaq, sipas Berishës, “mosbindja civile është kodi i përmbysjes së diktaturës”.
Kryedemokrati tha se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të opozitës, atë të qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të lira.
Sali Berisha: Ky dimër premton të jetë i vështirë. Edhe në Beograd studentët po dredhin nga themelet diktatorin, edhe në Tiranë në të ardhmen nuk ka. I përshëndes nga zemra të gjithë ata që janë mbledhur sot nga të 4 anët e vendit. Përshëndes bashkë qytetarët e Tiranës dhe i siguroj se kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë dhe se ne nuk do ndalojmë pa realizuar pikat tona; qeveri teknike, zgjedhje të lira. Mosbindja civile është kodi i përmbysjes së diktatorit.