Fri, Nov 21, 2025

Zvicra në Zi për skiatoren Sophie Hediger, vritet nga një ortek disa ditë pas ditëlindjes së saj

Zvicra në Zi për skiatoren Sophie Hediger,  vritet nga një ortek disa ditë pas ditëlindjes së saj
  • PublishedDecember 25, 2024

Zvicra është në zi për humbjen e skiatores Sophie Hediger, e cila vdiq tragjikisht të hënën në moshën vetëm 26-vjeçare, pas një orteku në resortin e skive Arosa në Alpet zvicerane.

Lajmi për vdekjen e saj u njoftua të martën nga Federata Zvicerane e Skive, ku shefi ekzekutiv i federatës, Walter Reuscher, shprehu pikëllimin e tij: “Jemi të tronditur dhe i shprehim ngushëllimet tona familjes së Sophie. Për familjen Swiss-Ski, vdekja tragjike e Sophie Hediger hedh një hije të rëndë trishtimi mbi festat e Krishtlindjeve. Jemi thellësisht të pikëlluar. Do të mbajmë në kujtesë praninë e nderuar të Sofisë”.

Sipas informacioneve, orteku ka ndodhur gjatë skijimit, ndërsa sportistja është lokalizuar dy orë pasi janë njoftuar autoritetet. Policia e Qarkut Grisons ka nisur hetimet për rrethanat e aksidentit, por me kërkesë të familjes nuk do të jepen detaje të tjera.

Orteku ka ndodhur pas reshjeve të dendura të borës në Zvicër, të cilat ditët e fundit kishin shtuar rrezikun për ortek.

Sophie Hediger kishte festuar ditëlindjen e saj të 26-të vetëm nëntë ditë para ngjarjes tragjike. Ajo kishte marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Pekin, ku konkurroi në garën e snowboard cross dhe në garën e ekipit miks. Gjatë sezonit 2023-24, Hediger pati dy dalje në podium në Kupën e Botës, me performancën e saj më të mirë që u rendit e dyta në St. Moritz në janar.

Në një postim pas fitores, Hediger shkroi: “Uau! Çfarë ndodhi dje! Hera e parë në podiumin e Kupës së Botës dhe madje edhe në vendin tim! Nuk mund të isha më e lumtur se kaq”.

Humbja tragjike e Sophie Hediger ka tronditur botën e skijimit dhe snowboarding, duke lënë një boshllëk të pariparueshëm në zemrat e të gjithë atyre që e njohën dhe admiruan përkushtimin dhe talentin e saj.

()


AlbaniaWeb.net