FOTO/ Bashkëshorja e Presidentit të Sirisë bën daljen e parë publike jashtë vendit! Latifa al-Daroubi shfaqet përkrah gruas së Erdoganit në Ankara
Bashkëshortja e Presidentit të përkohshëm të Sirisë, Zonja e Parë Latifa al-Daroubi, ka bërë paraqitjen e saj të parë jashtë vendit, duke vizituar Turqinë me bashkëshortin e saj, Ahmed al-Sharaa në kuadër të vizitës së tij në Ankara.
Latifa al-Daroubi u takua me gruan e Recep Tayyip Erdogan, Emine, të cilat sipas mediave turke shkëmbyen mendime për ndihmën humanitare, fuqizimin e grave dhe rolin e arsimit.
Dy Zonjat e Para diskutuan gjithashtu hapat që Turqia dhe Siria mund të ndërmarrin së bashku për të mbështetur gratë dhe fëmijët që vuajnë nga luftërat në mbarë botën.
Al-Daroubi thuhet se shprehu mirënjohjen e saj për Turqinë për mbështetjen e Ankarasë në rindërtimin e Sirisë.
Në një postim pas takimit të tyre, Emine Erdogan shkroi në X: “Kam pasur kënaqësinë të mirëpres zonjën Latifa al-Daroubi, bashkëshorten e presidentit sirian, e cila bëri një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Patëm rastin të diskutonim për disa çështje të rëndësishme si ndihma humanitare, solidariteti social, forcimi i pozitës së gruas dhe roli i arsimit. I thashë se ne qëndrojmë pranë popullit sirian, siç kemi bërë në të kaluarën, në procesin e rindërtimit të Sirisë dhe shërimit të plagëve të saj.
Besoj se e ardhmja e paqes dhe stabilitetit do të jetë rezultat i përpjekjeve të përbashkëta dhe shpresoj që çdo hap që bëjmë në këtë drejtim të jetë një shpresë për banorët e rajonit”.

Kush është Latifa al-Daroubi?
Latifa al-Daroubi ka lindur në vitin 1984. Ajo ka një diplomë master në gjuhë dhe letërsi arabe dhe është nënë e tre fëmijëve.
Familja e saj është me origjinë nga Homs dhe motra e saj është e martuar me guvernatorin aktual të Damaskut, Maher Mohammed Marwan.
Një nga paraqitjet e saj të rralla publike, ishte në një takim me gra nga Siria dhe Shtetet e Bashkuara. Njerëzit që morën pjesë në takim e përshkruan atë si “një grua të kulturuar, të sofistikuar dhe elegante”.
Takimi mes Erdogan dhe Ahmad al-Sharaa
Më herët, Presidenti i Turqisë dhe ai i Sirisë, zhvilluan një takim kokë më kokë në Ankara, të cilët diskutuan për mundësinë e rivendosjes së marrëdhënieve strategjike mes dy shteteve.
Erdogan dhe al-Sharaa mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi pas bisedimeve tre-orëshe në kompleksin presidencial në kryeqytetin turk me pjesëmarrjen e disa ministrave nga të dyja palët.
“Të gjitha institucionet dhe organizatat tona kanë punuar intensivisht gjatë dy muajve të fundit për të rikthyer marrëdhëniet tona në nivelin e tyre strategjik të dikurshëm”, tha Erdogan.
Erdogan e përshkroi takimin e tij me al-Sharaa “si fillimi i një periudhe miqësie dhe bashkëpunimi të përhershëm midis Sirisë dhe Turqisë”.