Ndryshimet në Kodin Zgjedhor të propozuar nga KQZ, Berisha: Nuk votojmë në Kuvend nëse nuk pranohet amendamenti ynë! Vota e diasporës, në rrezik nëse përjashtohet 2/3
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përgjatë konferencës në selinë blu, u pyet nga gazetarët nëse ai do të votojë pozitivisht për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të propozuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për lehtësimin e procesit të regjistrimit të votuesve të diasporës
Berisha argumenton se nuk do të votojë nëse amendamenti i demokratëve nuk pranohet në Kuvend.
“Deklaroj këtu, asnjë votim nuk bëjmë nëse ky amendament i yni, nuk pranohet që është strikt për të respektuar të drejtën kushtetuese të shqiptarëve jashtë vendit. Për ne ky është kushti. Do t’i votojmë bashkë me këtë, dakord,. Nuk do të votojnë këtë, nuk votojmë as ne”, deklaroi Berisha.
I pyetur nëse në këtë mënyrë po vë në rrezik votën e diasporës, Berisha deklaroi se “Vota e diasporës vihet në rrezik nëse përjashton 2/3. Këtë e bën me qëllim sepse e shohin se diaspora e urren PS. Qytetarët e kanë turp të përmendin narkoshtetin që Edi Rama kanë ndërtuar në Shqipëri. Menduan se ishte ndryshe por u doli krejt tjetër. Prandaj duan t’i kufizojnë”.