Tjetërsimi i 45 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalzit/ GJKKO dënon 10 muaj burg “Rrumin e Shijakut”! Si Aleksandër Laho korruptoi avokatin e shtetit
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë vendimin e saj ndaj Aleksandër Lahos, ose i njohur me emrin Pëllumb Muharremi apo me nofkën “Rrumi i Shijakut”.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se GJKKO caktoi ndaj Lahos dënimin me 10 muaj heqje lirie, me akuzën e korrupsionit.
SPAK, bazuar në hetimet e saj, shprehet se Rrumi i Shijakut i ka dhënë vlerën prej 900 mijë lekësh të reja Irgen Kërçukut, i cili aso kohe mbante detyrën e Avokatit të Shtetit. Arsyeja e këtij ryshfeti ishte që Kërçuku të mos merrte pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
Aleksandër Laho akuzohet se ka tjetërsuar 45 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Gjirit të Lalzit.
Sipas të dhënave në dosjen hetimore, Prokuroria e Posaçme ka prova të forta, siç janë 2 video që u gjetën në telefonin e Aleksandër Lahos, që mendohet të jenë regjistruar në vitin 2017.
“Rrumi” i Shijakut shfaqet duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Ish-avokati, i vënë nën hetim, ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato. Madje, kur vendimi mori formë të prerë dhe nuk u bë ankimim, avokati pretendoi në dëshmi se “Rrumi” i ka kërkuar t’i kthejë pas paratë.