KAS rrëzon Celibashin për “Paketën e Maleve”

“Paketa e Maleve”, një nismë ligjore e ngjashme me atë të investimeve strategjike synon të nxisë investime në zonat malore duke ofruar mekanizma lehtësues për privatizimin e tokës shtetërore, u kundërshtua nga opozita dhe organizatat monitoruese të zgjedhjeve si një nismë që binte në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Ligji zgjedhor ndalon në një periudhë 4 muaj para zgjedhjeve nismat ligjore që parashikojnë përfitime që mund të ndikojnë tek elektorati.
Celibashi në vendimmarrjen e tij konstatoi se nismat “prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale” dhe në këtë kontekst i kërkoi Kuvendit që të mos i shqyrtonte.
Por, Kuvendi e ankimoi menjehërë vendimin e Celibashit në KAS, , ku të mërkurën shumica e anëtarëve të këtij organizmi pranë KQZ-së argumentuan se vendimmarrja e Komisionerit është e pambështetur në ligj.
“Propozimi, miratimi apo nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore ndalohet jo kur ka lidhje me fusha apo sektorë të caktuar, as kur prek politikat sektoriale, por kur sjell përfitime për kategori të caktuara të popullsisë. Pa përfitim nuk ka ndalim”- thuhet në argumentimin e vendimit të KAS.
Çështja mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës Administrative të Apelit, organi më i lartë vendimmarrës për çështjet zgjedhore.
Nismat ligjore të shqyrtuara nga KQZ nuk janë të vetmet nisma të qeverisë që kanë ngritur shqetësim për përdorimin e burimeve publike nga partia në pushtet për të ndikuar fushatën zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Miratimi i një ligji që falte penalitete të ndryshme në dhjetor së bashku me bonuset financiare për pensionistët dhe kadegori të tjera, si dhe shpallja në shkurt e skemës së subvencionimit për panelet djellore kanë ngritur gjithashtu shqetësime.
Neni 91 i Kodit Zgjedhor, i ndryshuar me marrëveshje politike në vitin 2020, parashikon se “katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive, të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore.