Bayern dominues, bavarezët “poker” ndaj Frankfurt, titulli një hap larg, Kompany: Bëmë atë që donim
Bayern fiton duke dominuar mbi Eintracht Frankfurt. Skuadra e Vincent Kompany tregoi të dielën në Allianz Arena se përse ata janë kryesuesit me meritë të plotë në Bundesligë këtë sezon.
Një sfidë e gjitha në sens unik me bavarezët që treguan dëshirë nga minuta e parë deri në të fundit për të shënuar sa më shumë.
Goli i zbllokimit të shifrave erdhi vetëm në fundin e pjesës së parë, teksa pas një kombimi të bukur nga e majta Sane dhe Olise “gatuajnë” golin e epërisë për vendasit.
Në pjesën e dytë do të ishte japonezi Ito që do të përfitonte nga një dalje jo e studiuar mirë e portierit mik për të shtyrë topin drejt rrjetës me portën e zbrazët për golin e dytë.
Bayern nuk do të ndalej me kaq teksa në të 83 arrit të shënojë golin e 3 me të përhershim Musiala, që vallëzon brenda në zonë dhe qetësisht e çon topin në rrjetë për një super gol.
Në fund festë do të ketë edhe për Serge Gnabry që nga e majta depërton në zonë, duke mposhtur portierin e Frankfurt për të 4 herë.
I lumtur pas sfidës ishte tekniku i Bayernit, Vincent Kompany:
“Ne bëmë atë që donim të bënim. Luajtëm mirë, krijuam shumë. E rëndësishme është të qëndrojmë të qetë e të fokusohemi gjithmonë nga sfida e radhës”.
Falë suksesit ndaj Frankfurt, Bayern rivendos sërish distancën e sigurisë në +8 pikë nga ndjekësia më e afërt, kampionët në fuqi të Leverkusen.