Mon, May 5, 2025

Intervista/ Mungesa e fuqisë punëtore, eksperti: Papunësia e të rinjve, shqetësuese! Paga dhe kushtet, arsyet kryesore. Sektorët më problematikë

  • PublishedFebruary 24, 2025

Intervista/ Mungesa e fuqisë punëtore, eksperti: Papunësia e të rinjve, shqetësuese! Paga dhe kushtet, arsyet kryesore. Sektorët më problematikë

VOLTIZA DURO/ Në vitin që lamë pas, mungesa e fuqisë punëtore në vendin tonë është thelluar sipas të dhënave nga BSH. Por, cilët janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rënien e numrit të punonjësve?

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti për punësimin dhe karrierën, Erion Muça, tregon se paga dhe kushtet e punës janë ndër shkaktarët bazë të këtij fenomeni, duke përmendur më tej edhe emigracionin, rritjen e “start up”- eve dhe vetëpunësimit, mungesën e interesit të punonjësve për t’u vënë në dispozicion të punës. Ai shton se turizmi, bujqësia, industria përpunuese dhe prodhuese, ndërtimi, industria fasone dhe bar-restorantet janë sektorët më problematikë për të gjetur punëtorë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në vitin 2024 mungesa e fuqisë punëtore në Shqipëri u thellua edhe më tej. Si ndikon kjo në tregun e punës?

Ndikimi i mungesës së fuqisë punëtore në tregun e punës nxit sipërmarrjet të difersifikojnë mënyrat e kërkimit dhe gjetjes së punonjësve dhe duke iu drejtuar tregut ndërkombëtar. Sipërmarrjet dhe bizneset në pamundësi të plotësimit të nevojave për punonjës do hasen me ulje të rendimentit të punës dhe prodhimit, ulje të potencialit, që kanë duke marrë më pak punë përsipër dhe shtrirë në një kohë më të gjatë realizimi ose do të automatizojnë proceset duke rritur kështu eskponencialisht kostot dhe humbur para. Po ashtu, ndikimi i mungesës së punonjësve paralelisht rrezikon mungesë investimesh dhe modernizimi duke e lenë në stanjacion infrastrukturën dhe funksionalitetet e brendshme të kompanive, duke i penguar edhe të zhvillohen apo modernizohen, duke mos pasur buxhet dhe fonde për të investuar si në trajnime punonjësish, ashtu edhe në digjitalizim.

Në çfarë nivelesh është shkalla e papunësisë te të rinjtë?

Papunësia e të rinjve mbetet disi ende shqetësuese dhe mision e sfidë për vendin është zbritja e saj nen 20%, gjë që do ta rendiste Shqipërinë si vend me papunësi të moderuar të të rinjve. Ky objektiv është më se i mundshëm, nëse fokusohemi te ngritja e një programi kombëtar.

Cilët janë faktorët që kanë ndikuar në rënien e fuqisë punëtore dhe si është paraqitur trendi gjatë viteve të fundit?

Faktorët e uljes së numrit të punonjësve lidhen me nivelet e larta të emigracionit te të rinjtë, rritjen e “start up”-eve dhe vetëpunësimit përmes iniciativave sipërmarrëse, mungesën e interesit të punonjësve për t’u vënë në dispozicion të ofertës për punë, e cila ka qenë në të kundërt të pritshmërive të tyre, shifrat e larta të të rinjve që e vonojnë në kohë aksesin me punën, pasi mbarojnë cikle të gjata arsimimi apo gjenden si të papunë të dekurajuar. Niveli i lartë i atyre që dalin në pension të parakohshëm apo kalojnë pavarësisht në moshë aktive për punë si në asistencë sociale apo trajtohen me ndihmë ekonomike, mospreferenca e të rinjve ndaj disa punëve nën nivelin e arsimit që kanë etj..

Sa ndikon paga dhe kushtet e punës në rënien e numrit të punonjësve?

Paga dhe kushtet e punës përbëjnë ndër arsyet kryesore pas stabilitetit në punë dhe mundësisë që ajo ofron për zhvillim profesional dhe karrierë. Nëse për të rinjtë dominante është stabiliteti dhe siguria e një pune dhe mundësitë për zhvillim, për shumicën e hapësirave për punë që ka Shqipëria, niveli i pagës është elementi kryesor i vendimmarrjes për t’u punësuar të punonjësve të kushtëzuar dhe nga shtrenjtimi në vend dhe vështirësitë e jetesës. Kushtet e punës në Shqipëri në sektorin privat ende mbeten prapa preferencës së punonjësve për t’u ndjerë të vlerësuar në të gjitha drejtimet si punonjës të një sipërmarrjeje. Modernizimi dhe standardizimi i sipërmarrjeve për ta parë punonjësin si investim dhe jo si shpenzim po ecën me ritëm shumë më të ngadalte sesa përmirësimi i ndjeshëm që po bën Administrata Publike, sidomos për sa i përket nivelit të pagave, respektimit të kontratës së punës, por edhe fleksibilitetit në punë apo raportit punë-jete sociale lidhur me orët e punës në javë. Problem ende mbetet respektimi i kontratës së punës në sektorin privat, që derivon me cedim zinxhir të hallkave të tjera që kanë të bëjnë me kushtet e punës për të kaluar nga detyrimi për respektim të të drejtave të punonjësit, tek emancipimi për të qenë i ndjeshëm dhe solidar me punonjësin, duke shpërndarë edhe fitimet shtesë me të ardhura nga përkushtimi, puna, produktiviteti dhe rezultatet e vetë punonjësit.

Mund të na tregoni se cilët janë sektorët që po hasin më shumë vështirësi në gjetjen e punonjësve dhe pse?

Sektorët me më shumë vështirësi për të gjetur punonjës janë: turizmi; Tregjet e rajonit na konkurrojnë sidomos me pagën për orë dhe kontratat e punës gjatë gjithë vitit për punonjësit. Nr. i nxënësve në shkollat e turizmit është shumë i ulët në raport me nevojat, duhet të sistemohen programet e shpërblimeve për punonjësit, puna me turne e tyre dhe pagesa korrekte e orëve shtese. Bujqësia; duke pasur nevoja sezonale sipas stinëve, punonjësit lëvizin në zona brenda vendit ku ofrohet një pagesë më e lartë. Industria përpunuese dhe prodhuese; ka një numër të lartë punësh të thjeshta, që ose trajtohen me paga minimale, ose kërkojnë aftësi specifike, ose nuk preferohen nga vështirësia e realizimit nga punonjësit duke i shtyre sipërmarrjet t’i drejtohen tregut ndërkombëtar për punonjës të huaj. Ndërtimi; numri i punonjësve në vend është në disproporcion me vrullin e ndërtimeve dhe afateve për t’u mbaruar sa më shpejt, duke i vendosur në vështirësi sipërmarrjet në gjetjen e punonjësve dhe shtyre ata të përdorin kontraktimet sesa shtimin e punonjësve nga pamundësia për t’i gjetur ata. Industria fasone, vështirësitë reale që ka pasur nga rënia e euros duke i pamundësuar paga më të larta për punonjësit dhe perceptimi i krijuar në treg për një pjesë të tyre lidhur me mungesën e korrektësisë në respektimin e kontratës së punës me punonjësit, sidomos për pagesat e orëve shtese. Zgjidhja për këto sipërmarrje është ngritja në zona rurale dhe afrimi pranë tyre i punonjësve në grup-mosha të mesme e lart, kryesisht pa arsim, duke i përgatitur t’u përgjigjen proceseve specifike të punës. Bar-restorante; pagat e ulëta dhe rënia e numrit të klientëve dhe rrjedhimisht sasia e ulët e bakshisheve mbi pagën, sidomos në qytete kryesore gjatë sezoneve, ku prirja e punonjësve në këtë sektor është drejt zonave turistike.

Sa e ndihmon tregun integrimi i punonjësve të huaj? Në cilat sektorë kanë mundur të gjejnë më shumë veten?

Integrimi i punonjësve të huaj e ndihmon shumë tregun vendës të punës, por vetëm për punët e thjeshta dhe elementare deri në nivel zanatesh, pasi për nivel përgjegjësish, ekspertësh dhe profesionistësh duhet të joshet dhe afrohet potenciali vendës i profesionisteve. Sektorët ku punonjësit e huaj janë sistemuar mirë janë turizmi, përpunimi dhe prodhimi, ndërtimi, por edhe sektori fason.

Cilat janë parashikimet për 2025-ën? A pritet të ketë një thellim të mungesës së punonjësve apo pritet përmirësim i situatës?

Në 2025 do të ketë një ekuilibër mes mungesës së punonjësve dhe afrimit të punonjësve të huaj. Sipërmarrjet po shtrinë në kohë prodhimin dhe projektet e marra përsipër, në vend që të marrin më pak punë përsipër. Një pjesë e sipërmarrjeve po investojnë në digjitalizim, automatizim dhe robotizim, duke rritur eficiencën dhe mungesën e fuqisë punëtore, duke e amortizuar disi edhe këtë mungesë, duke ruajtur një stabilitet objektiv të ecurisë që kanë përmes gjetjeve dhe zgjidhjeve inovative.

MASAT PËR PARANDALIMIN E RËNIES SË FUQISË PUNËTORE:

Modernizimi dhe standardizimi i funksionimit të sipërmarrjeve lidhur me stimulin, incentivimin dhe motivimin e punonjësve.
Rritja e stabilitet dhe sigurisë në punë të punonjësve.
Respektimi korrekt i kontratës së punës mepunonjësit.
Ndërtimi dhe funksionimi i programeve të promovimit të brendshëm në karrierë.
Rritja progresive dhe automatike e pagës mbi bazën e produktivitetit dhe rezultateve në punë të punonjësit.
Fleksibiliteti i të punuarit dhe përmirësimi i ekuilibrit punë-jetë sociale për punonjësit.
Shpeshtimi i paketave të shpërblimeve dhe benefiteve për punonjësit që të ndjehen të kënaqur financiarisht me punën që bëjnë.
Të rritet respektimi dhe vlerësimi i punonjësit në punë dhe në sektorin social dhe human.

/Gazeta Panorama