Mon, May 5, 2025

“Të fitojmë me ndihmën e tifozëve tanë”, Brdariç optimist për sfidën ndaj Elbasanit

  • PublishedFebruary 24, 2025

“Të fitojmë me ndihmën e tifozëve tanë”, Brdariç optimist për sfidën ndaj Elbasanit

Vllaznia pret ditën e martë në ‘Loro Boriçi” Elbasanin, në sfidën e kthimit të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë kualifikimin në fazën tjetër të kompeticionit të dytë për nga rëndësia në vendin tonë. Çdo gjë do të nis nga barazimi 0-0 në “Elbasan Arena” në aktin e parë, me shkodranët që do të kenë avantazhin që do të luajnë pranë publikut të tyre. Në prag të kësaj sfide, trajneri i shkodranëve Tomas Brdariç në konferencën e zakonshme për shtyp, foli për rëndësinë e kësaj përballje për skuadrën e tij, teksa theksoi se Vllaznia do të kërkojë kualifikimin për të festuar me tifozët e saj

“Është një sfidë e madhe nesër, e dimë që është një ndeshje me eliminim, kush fiton kalon raundin. Kemi ndeshjen në shtëpinë tonë, duhet ta luajmë në mënyrë sa më profesionale, objektivi është të fitojmë ndeshjen, do të punojmë fort për këtë. Nuk do të ndërrojmë stilin e lojës tonë, kemi një strukturë, kemi krijuar raste kundër disa ekipeve të vështira, ndeshjen e fundit patëm raste për të shënuar dhe njëherë e bëmë, nesër na duhet balancë e mirë për shënuar dhe mbrojtur, kemi analizuar ndeshjen e fundit për të bërë edhe më mirë, kemi një stërvitje edhe sot, kemi disa lojtarë që kthehen në skuadër.

Rasti më i mirë është 90-minutëshi, na presin shumë ndeshje në javët në vijim, por mendojmë për nesër kundër Elbasanit. Ata do të kërkojnë të fitojnë, jemi munduar të tregojmë vlerat dhe armët tona të forta. Me zor po pres dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Kemi edhe një stërvitje, do të shohim për 11-shen më të mirë fizikisht, dimë që është mirë të kemi lojtarë zëvendësues që mund të rrisin lojën.

Duhet ti shtyjmë këta lojtarë për rezultatin e duhur, shpresojmë të kemi tifozët tanë nesër dhe të festojmë të gjithë bashkë. Normale vret që Balaj nuk e shënoi penalltinë, por ai është një lider dhe ndeshjen tjetër do të provojë prapë, është diçka që ndodh. Ai i shpëtoi dy pikë ekipit, nëse ai ka mundësi nesër, do të bëjë më mirë. Iu them lojtarëve gjithmonë që duhet të investojmë më tepër se 100% dhe nëse e bëjmë fitojmë ndeshjen nesër”, deklaroi Brdariç.

Sfida Vllaznia-Elbasani do të zhvillohet të marten në “Loro Boriçi”, në ora 17:00


AlbaniaWeb.net