Zbulohen detaje rreth atentatit të dështuar ndaj 30-vjeçarit Enedjon Kaçi! Dy të rinjtë qëlluan me breshëri ndaj Land Rover-it të shënjestrës, por… Si u shpëtoi plumbave i riu dhe arratisja e autorëve
Detaje të reja dalin nga atentati i dështuar në Kamëz, ngjarje e ndodhur më 22 Shkurt, ku objektiv i sulmit të armatosur ishte 30-vjeçari Enedjon Kaçi.
Policia ka arrestuar një 17-vjeçar, i cili dyshohet se drejtonte automjetin nga i cili u qëllua me armë zjarri ndaj makinës së Enedjon Kaçit.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se adoleshenti, i nxitur nga persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, ka dhënë deklaratë të rreme në përpjekje për të penguar hetimet.
Për këtë arsye, ai është vënë në pranga nga specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Kamëz dhe akuzohet për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës“, “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Ndërkohë, janë në kërkim nga policia dy 24-vjeçarët Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, të cilët qëlluan me armë zjarri ndaj Enedjon Kaçit, si edhe vetë shënjestra, informon gazetari Ilgi Çelmeta.
Sipas hetimeve, atentati i dështuar ndodhir rreth orës 22:00 pranë rrethrrotullimit “Ulliri” në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz.
Dy autorët e dyshuar, Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, qëlluan me breshëri plumbash nga një makinë tip “BMW X5” në drejtim të mjetit “Land Rover” me të cilin po lëvizte Enedjon Kaçi. Megjithatë, asnjë nga plumbat nuk e preku shënjestrën.
Pas atentatit, autorët u larguan me shpejtësi në drejtim të qendrës së Kamzës dhe më pas braktisën automjetin në rrugën “Valeta”, duke u arratisur me një tjetër makinë tip “Golf” të bardhë. Nga ana tjetër, Enedjon Kaçi u largua në drejtim të Kodër Institutit, ku braktisi makinën e tij pranë një karburanti. Hetimet kanë konfirmuar se në krahun e majtë të mjetit të tij kishte dëmtime nga plumbat.
Policia po vijon hetimet për të kapur të gjithë të përfshirët dhe për të zbardhur tërësisht ngjarjen. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.