Thu, Aug 7, 2025

Dhuna me bazë gjinore, studimi: 1 në 2 gra kanë përjetuar dhunë!

  • PublishedFebruary 28, 2025

Mbi 50% e grave në Shqipëri kanë përjetuar një herë në jetën e tyre një nga format e dhunës fizike, psikologjike, ekonomike, seksuale e digjitale. Dhuna me bazë gjinore ku më të prekura janë gratë dhe vajzat, është një nga format më të përhapura të shkeljes së të drejtave të njeriut por për fat të keq jo gjithmonë të denoncuara.

Për të nxitur denoncimet dhe për të promovuar rolin e gruas, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe UNFPA në Shqipëri nisën projektin e ri tre-vjeçar, që synon të luftojë dhunën me bazë gjinore dhe praktikat e dëmshme në Shqipëri përmes forcimit të mekanizmit të referimit të dhunës duke nisur në nivel bashkiak. Në këtë drejtim pushteti vendor, strukturat sociale janë njohëse të drejtëpërdrejta të komunitetit të tyre dhe mund të luftojnë dhunën me bazë gjinore në dy drejtime; së pari, duke fuqizuar rolin e gruas në komunitet dhe në anën tjetër duke forcuar mekanizmat e referimit të dhunës duke sjellë reagim më të shpejtë të strukturave shtetërore lokale dhe qendrore. Për të fuqizuar këtë bashkëpunim Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe UNFPA, në partneritet dhe mbështetur nga Qeveria Italiane nëpërmjet Zyrës Italiane të Bashkëpunimit në Tiranë, nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit për fuqizimin e grave dhe vajzave në Shqipëri duke shënuar një hap të rëndësishëm në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030. Ky bashkëpunim ka fokus të veçantë adresimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbështetjen e grave dhe vajzave në 9 bashki të projektuara në këtë hap si, Tiranë, Vlorë, Korçë, Pogradec, Dibër, Klos, Kolonjë, Konispol dhe Selenicë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë fjalës së saj theksoi se ky projekt tre-vjeçar do të ndihmojë në forcimin dhe ofrimin e shërbimeve të specializuara për viktimat e dhunës duke fuqizuar më tej kapacitetet kundër dhunës në qeverisjen vendore.

Aktualisht ofrohen 84 shërbime sociale në të gjithë vendin dhe 9 qendra të dedikuara për mbështetjen e viktimave të dhunës, por synimi ynë është të zgjerojmë dhe fuqizojmë më tej këtë rrjet ndihme”, u shpreh Koçiu.

Justine Coulson, Drejtore për vendin, UNFPA Albania u shpreh mbi hapat pozitiv që ka bërë vendi ynë në kuadrin ligjor me qëllim frenimin e dhunës me bazë gjinore: “Vitet e fundit, Shqipëria ka forcuar kuadrin ligjor, politik dhe institucional për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave. Zhvillime të tjera pozitive përfshijnë zgjerimin e Mekanizmave të Koordinuar të Referimit në nivel vendor në të 61 bashkitë e Shqipërisë për të siguruar kapacitet më të madh për nevojat e grave që përjetojnë ose janë në rrezik të dhunës – dhe si rezultat 12% më shumë gra kanë raportuar dhunë dhe më shumë se 3000 gra kanë kërkuar ndihmë dhe shërbime”.

Ndërkohë, përsa i takon projektit në fjalë Drejtore për Vendin, UNFPA Albania Coulson bëri të ditur se do të punohet ngushtësisht me të gjithë aktorët: Kjo është arsyeja pse projekti që po lançojmë do të forcojë qeverisjen e përgjegjshme gjinore në 9 bashki, do të promovojë fuqizimin e grave dhe të drejtat e njeriut dhe do të punojë me burrat dhe djemtë në mënyrë që ata të bëhen aleatë në luftën për barazi gjinore. Projekti do të reduktojë dhunën ndaj grave dhe vajzave, duke mbështetur institucionet dhe individët për të zbatuar politikat dhe legjislacionin kombëtar për dhunën, në një mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar, në mënyrë që gratë dhe vajzat të përfitojnë nga masat më efektive të parandalimit të dhunës me bazë gjinore në Shqipëri”.

Ndërhyrja do të fokusohet në sigurimin e mirëfunksionimit të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit dhe forcimin e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve përgjegjëse për t’iu përgjigjur dhunës me bazë gjinore, fuqizimin e vajzave dhe grave, mbijetuese të të gjitha formave të dhunës, për të jetuar një jetë të lirë pa dhunë, përmes informacionit dhe zhvillimit të aftësive që mbështet ri-integrimin e tyre. Gjithashtu rezultat i këtij projekti pritet të jetë dhe përmirësimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor dhe normative si dhe forcimin e rolit mbikëqyrës të Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut për të monitoruar pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare për dhunën ndaj grave dhe vajzave.