Wed, May 14, 2025

“Vetëm për fitore”, Brdariç dhe Vllaznia synojnë suksesin e radhës ndaj Laçit

  • PublishedFebruary 28, 2025

“Vetëm për fitore”, Brdariç dhe Vllaznia synojnë suksesin e radhës ndaj Laçit

E sapo ardhur nga triumfi ndaj Elbasanit në mesjavë, që i siguroi Vllaznisë një biletë për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, në kampin e shkodranëve nuk ka kohë për të festuar, kjo pasi të shtunën kuqeblutë do të kenë një sfidë të fortë në kampionat, teksa do të përballen me Laçin

Në prag të kësaj sfide ka folur edhe trajneri i shkodranëve, Tomas Brdariç. Fillimisht ai nuk ngurroi të falenderojë të gjithë tifozët shkodranë që mbështetën ekipin në “Loro Boriçi” ndaj Elbasanit.

“Pikë së pari dua të falenderoj të gjithë tifozët dhe ata që na suportuan ndeshjen e fundit në Kupë, askush nuk do ta harrojë momentin që krijuam atë ditë në stadium, ishte objektivi të kapnim gjysmëfinalen dhe kjo shtysë do të na ndihmojë për ndeshjet në vijim”.

Më pas Brdariç u ndal të fliste për rivalin e radhës të kuqebluve Laçin, me teknikun kroat që u shpreh se kurbinasit janë një kundërshtar i fortë, por objektivi i skuadrës së tij është 1 dhe i vetëm për këtë takim, fitorja.

“Duhet të jemi profesionistë pasi e dimë që luajmë kundër një ekipi të fortë si Laçi, është një ndeshje ndryshe si ajo që patëm me Elbasanin këtu në Shkodër, duhet të jemi të jemi të fokusuar për të fituar ndeshjen nesër, ndihemi mirë dhe tani fokusi është vetëm te Laçi. Kur luajmë në 120 minuta dhe shkojmë në penallti, kuptohet që aspekti fizik i lojtarëve do të ulet, por ne jemi një skuadër e madhe, jemi ende në shkurt dhe pothuajse e kemi arritur objektivin që ka klubi, që të shkojmë në Europë dhe për këtë jemi të lumtur. Duhet të jemi shumë të përgatitur për nesër, një nga ndeshjet më të forta në kampionat, një trajner me mjaft eksperiencë, Laçi është rritur shumë në lojë pas ardhjes së tij në krahasim me fillimin e sezonit”.

Ndeshja Laçi-Vllaznia e vlefshme për javën e 27 të kategorisë superiore, do të luhet të shtunën, ora 14 në qytetin e Laçit.


AlbaniaWeb.net