Mon, May 12, 2025

Vrasja e Pavlin Prekës në oborrin e shtëpisë së tij/ Detaje: Merren në pyetje 20 fqinj, ende asnjë autor i identifikuar! Dyshohet të jetë përdorur armë me silenciator

  • PublishedFebruary 28, 2025

Vrasja e Pavlin Prekës në oborrin e shtëpisë së tij/ Detaje: Merren në pyetje 20 fqinj, ende asnjë autor i identifikuar! Dyshohet të jetë përdorur armë me silenciator

Detaje të reja zbulohen nga krimi i rëndë që tronditi dje Shkodrën, ku një 20 vjeçar, Pavlin Preka u vra në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Guci e Re.

Deri më tani uniformat blu kanë shoqëruar 20 persona, fqinj të viktimës, të cilët mund të kenë informacione lidhur me 20 vjeçari apo dijeni për persona që mund të njihen si problematikë në zonë.

Të gjithë janë marrë në pyetje ndërsa deri më tani nuk ka asnjë autor të dyshuar të ngjarjes duke mos u identifikuar ende. I riu jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë bashkë me babain dhe vëllain e tij teksa merren me bagti atje.

Viktima kishte 4 ditë që kishte ardhur në shtëpi ndërsa janë ende të paqarta motivet e kësaj vrasje duke mos patur ende një pistë hetimi. Familjarët kanë deklaruar se nuk e kanë idenë se kush mund të jetë autori sepse nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë konflikti.

Mësohet se viktima është qëlluar me 6 plumba me armë zjarri pistoletë në trupin e tij. Grupi hetimor ka sekuestruar gëzhojat të cilat ndodheshin pranë njëra-tjetrës. Efektivët dyshojnë se 20 vjeçari është qëlluar nga një distancë e afërt në oborrin e shtëpisë së tij ku u gjet trupi i pajetë.

Ka qenë xhaxhai i 20 vjeçarit, Nikollë Preka i cili është personi që konstatoi se nipi i tij ishte vrarë. Viktima jetonte i vetëm në shtëpi ndërsa ushqehej tek familja e xhaxhait që e kishte shumë afër. Pasi e kanë telefonuar disa herë për të ngrënë dreken, i riu nuk i është përgjigjur dhe xhaxhai i tij ka shkuar tek banesa duke menduar se mos ishte në gjumë.

Në ato momente e ka gjetur të shtrirë në oborr teksa kishte ndërruar jetë nga plumbat. Menjëherë telefonoi policinë ndërsa efektivët nisën hetimet. Ndërkohë komshinjtë kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar krisma çka çon në dyshimin se vrasja mund të jetë kryer me pistoletë me silenciator.

Po ashtu kanë deklaruar se nuk e kanë parë autorin e paidentifikuar. Policia dyshon se në atë zonë pa kamera sigurie, autori ka ardhur në këmbë dhe është larguar po në këmbë mes arave ndërsa ka patur shumë mundësi për t’u larguar pa lënë gjurmë. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.