Tue, Mar 18, 2025

Nuk ka vetëm një sherif të ri në qytet

  • PublishedMarch 12, 2025

Nuk ka vetëm një sherif të ri në qytet

REDI SHEHU

Zgjedhja e Trump si president u bë duke theksuar qartazi se politika e tij do të ishte trashëgimi e eksperiencës së mëparshme. Nëse në ditën e parë të mandatit të tij të parë ai firmosi 20 urdhra ekzekutivë, në ditën e parë të mandatit të tij të dytë, ai firmosi 200 të tilla. Kjo flet për përshpejtimin si thelbi i politikave që ai po ndjek. Po pse po nxitohet kaq shumë Trump? Koha është armikja më e madhe e tij, prandaj për të zhbërë rendin e vjetër çdo minutë ka vlerën vet. Atij i duhet të përballet me një rend botëror, që siç John Mearsheimer, profesor i Universitetit të Chicagos dhe i pari që parashikoi luftën Rusi-Ukrainë, e quan rend liberal në marrëdhëniet ndërkombëtare, i cili ishte hegjemonist për shkak se vetë bota nga 1990 deri në 2015-tën ishte unipolare me dominimin e qartë amerikan. Ky rend liberal kishte ndërtuar një botë të bazuar në tri parime kryesore. I pari ishte “paqja demokratike” në të cilën një demokraci nuk mund të luftojë një demokraci tjetër dhe sa më shumë që demokracitë përhapen në botë, aq më shumë bien shanset për luftë. Parimi i dytë ishte marrëdhëniet e bazuara në “ndërvarësinë ekonomike”, e cila i bën shtetet më të pasura e për pasojë edhe interesi për luftë zvogëlohet në maksimum. Ndërsa parimi i tretë ishte ai të bazuarit në “institucionet ndërkombëtare”, të cilat detyrojnë demokracitë të anëtarësohen në to dhe ku lufta nuk është e pranueshme. Ky rend merr tipare globale vetëm në rastin e një rendi unpolar (SHBA), i cili shfaqet hegjemonist dhe i dikton botës vetëm një rrugë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në fakt, ajo që po bën Trump, është prishja e shpejtë e këtij rendi bazuar në këto tri parime. Kjo nuk është as më shumë e as më pak, por ajo që teoria realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare thotë se demokracitë edhe pse janë të tilla, nuk mund të frenojnë veten karshi konfliktit dhe ekspansionit dhe si e tillë, atyre u duhet të mbijetojnë duke rifuqizuar veten, gjë e cila sjell pastaj mirëqenie. Po të shoshësh atë që administrata e re amerikane po bën, është çmontimi i këtyre tri parime të rendit liberalist ndërkombëtar, duke frenuar çdo organizatë apo fond, i cili ndikon në përhapjen e demokracive nëpër botë. Po vendos tarifa me shtete kryesore të industrializuara dhe me bllokun e BE-së, duke prishur ndërvarësinë ekonomike si burim pasurimi i ndërsjellë dhe duke u fokusuar në mirëqenien kombëtare amerikane. Kjo, duke lënë anash parimin se nëse një ekonomi e zhvilluar që prodhon mirëqenie, nuk rrethohet po nga ekonomi të mirëqenies, atëherë ajo është e destinuar të bëhet objektiv i ekonomive të varfra, duke sjellë pafund probleme sociale.

Ndërsa sulmi i tretë i Trump është ndaj institucioneve ndërkombëtare si politike dhe të sigurisë, duke e çliruar SHBA-të nga kufizimet që anëtarësimi në to të sjell dhe duke e projektuar vetën drejt një vendi me tipare koloniale në epokën e inteligjencës artificiale. Pra, thënë ndryshe, Trump qartazi po del nga liberalizmi në marrëdhëniet ndërkombëtare drejt teorisë së mbijetesës së më të fortit. Duke bërë kështu, ai do të përpiqet që të akumulojë sa më shumë forcë politike, ekonomike dhe ushtarake për të vendosur një rend të ri joliberal. Mirëpo vendosja e një rendi të ri joliberal, që në thelb ka mbijetesën e më të fortit, shtron premisat e një rendi multipolar, ku fuqitë më të mëdha të kohës do të luftojnë për mbijetesë e për rrjedhojë sjell edhe fundin e hegjemonisë amerikane në botë. Tërheqja amerikane nga institucionet ndërkombëtare, që kanë qenë thelbi i fuqisë dhe hegjemonisë së saj, e bën të pashmangshme fundin e unipolaritetit./Gazeta Panorama