Zyrtarë të mesëm e të lartë të policisë nën hetim apo të arrestuar/ Dumani: Kryesisht për vepra të lidhur me krimin e organizuar! Nuk bëjnë dot pis institucionin
Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, po raporton sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi punën e institucionit gjatë vitit 2024.
Në fjalën e tij, Dumani theksoi se hetimet e këtij viti kanë përfshirë punonjës të Policisë së Shtetit, përfshirë funksionarë të mesëm dhe të lartë, të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar. Ai shtoi se janë regjistruar gjithashtu procedime penale edhe ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Sipas Dumanit, kjo nuk duhet të njollosë punën e të gjithë trupës policore, ku ka shumë profesionistë me integritet dhe përkushtim.
“Nga hetimet rezulton se në 2024 kemi pasur procedime ku janë hetuar apo arrestuar punonjës të policisë së shtetit kryesisht për lidhje me krimin e organizuar, funksionarë të mesëm e të lartë, siç ka pasur raste për prokurorë e gjyqtarë. Patjetër që ky fakt, që janë proceduar punonjës të policisë, nuk bën pis të gjithë Policinë e Shtetit që ka djem e vajza të mirë profesionalisht me integritet që përpiqen të kryejnë detyrat me përgjegjshmëri”, tha ai.
()