Vrau fqinjin dhe më pas i mori paratë/ Prokuroria Tiranë mbyll hetimet, dërgon në gjyq Isuf Hasën
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin I.H për veprën penale ‘Vjedhja me pasojë vdekjen’ parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.258 të vitit 2025, u arrit të provohet se shtetasi I.H. shkaktoi vdekjen e fqinjit të tij, shtetasit Xh.M., i gjetur i pajetë në fshatin Shëngjin i Vogël në njësinë administrative, Shëngjergj të Tiranës më 13.01.2025.
Ekspertiza mjeko ligjore provoi se viktima humbi jetën si pasojë e dëmtimeve të forta në kokë, të cilat u shkaktuan nga mjete të forta si çekiçi.
Ndërsa autori, shtetasi I.H. i pyetur dhe ripyetur nga prokuroria, pranoi se goditi fqinjin e tij pasi kishin pirë kafen e mëngjesit pas mllefit të akumuluar prej kohësh, duke qenë se viktima i thoshte shpesh se nuk ishte burrë, pasi rrinte 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi, e nuk dinte çfarë bëhej me gruan e tij. Autori gjithashtu pranoi që mori edhe sasinë e parave që viktima mbante gjithnjë me vete të lidhura me një qese në qafë.
Për shkak të marrëdhënieve të afërta që ekzistonin midis tij dhe viktimës, shtetasi I.H. ishte në dijeni të faktit që viktima mbante gjithmonë një qese me vete të lidhur në qafë, ku gjendeshin paratë e tij dhe pasi kreu aktit e vrasjes u largua drejt shtëpisë së vajzës së tij në Vorë, ku la armën e krimit dhe sasinë monetare.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallë së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, dërgon në gjyq shtetasin I.H. për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhja me pasojë vdekjen’ në dëm të viktimës, shtetasit Xh.M.
Si ndodhi ngjarja
Isuf Hasa, 64 vjeç, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimën i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar.
Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj.
Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e shtetases L.H,(vajza e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen .
Në fazë operacionale janë përfshirë Specialistet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, Komisariatit të Policisë nr.7, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i shtetasit Isuf Hasa për veprën penale “Vrasja me paramendim ”.