Mon, Aug 11, 2025

Afera 66 mln euro e Tërmet Peçit/ Ristani: Denoncuam në SPAK këtë megavjedhje, kjo kasaphanë korruptive merr fund më 11 maj

  • PublishedApril 30, 2025

Anëtari i kryesisë, njëkohësisht kandidati për deputet i PD në Gjirokastër, Arben Ristani, lëshoi një deklaratë nga selia blu, duke denoncuar aferat korruptive të ish-kryetarit të bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, i cili kandidon për PS në Qarkun e Gjirokastrës.

Sipas Ristanit, afera korruptive shkon në 66 milionë euro, duke bërë që këto para të shkojnë në një grusht njerëzish. Por Ristani shtoi se këto kasaphana korruptive do të marrin fund më 11 maj.

DEKLARATA E RISTANIT

Të nderuar qytetarë,

Emisioni investigativ PLUG, denoncoi një skemë tjetër korruptive në një ndër qarqet më të varfra të Shqipërisë, në Bashkinë e Tepelenës.

Tërmet PUBLIÇITARI dhe drejtori i tij kamikaz Lorenc Bami, kanë krijuar një skemë të mirëfilltë korruptive për të përfituar 18 milionë euro të ardhura nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Konkretisht në vitin 2017, Lorenc Bami, nëpërmjet gruas së tij themelon kompaninë NG STRUCTURES dhe menjëherë firmosën tendera publikë në Bashkinë Tepelenë dhe Gjirokastër.

Kjo kompani, e vetme dhe në bashkëpunim me operatorë të tjerë, ka rezultuar fituese në tendera me vlerë 66 milionë euro, ku spikasin tenderat e rindërtimit.

NG STRUCTURES rezulton që të jetë kompania e përzgjedhur dhe nga IUMENTIS shpk, kjo e fundit me firmën e Tërmet Publiçitarit ka përfituar tokë publike dhe leje ndërtimi për thertoren rajonale të Qarkut Gjirokastër, e më pas kalon paratë tek kompania e Drejtorit të Bashkisë.

Por abuzimi nuk mbaron me kaq, Lorenc Bami në vitin 2019 themelon dhe një tjetër kompani, Artreum Generation nëpërmjet të cilës ka marrë nënkontraktimin e një tjetër tenderi në Bashkinë Memaliaj për ndërtimin e Ujësjellësit, një tjetër procedurë e denoncuar nga Partia Demokratike.

Të nderuar qytetarë,

Tërmeti i partisë nuk mund të ishte ndryshe nga shokët e Rilindjes.

Me VKB të posaçme, ai i ka dhuruar motrës së tij mijëra metra katrorë tokë publike në fshatin Rexhin për ndërtimin e një Agroturizmi dhe, për financimin sigurisht i vjen në ndihmë shoqja tjetër rilindase Frida Krifca, me një financim në vlerën 220.000 euro me fondet e IPARD.

Për thertoren dhe Agroturizmin e motrës, Frida Krifca ka dhënë rreth 1 milionë euro nga fondet, të cilat duhet të shkonin për fermerët.

Kjo pra është thertorja korruptive në të cilën Tërmeti i partisë i futi paratë e qytetarëve të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Memaliajt.

Kjo kasaphanë korruptive me paratë e shqiptarëve do të marrë fund më 11 maj.

Sot në emër të Partisë Demokratike, depozitova pranë SPAK kallëzimin penal për këtë megavjedhje 5T, e cila ka lënë me gojë hapur edhe arkitektët e 5D dhe 5B.

Partia Demokratike zotohet se do t’i çojë para ligjit të gjithë ata që kanë futur duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë si dhe do të konfiskojë çdo pasuri të vënë në kurriz të shqiptarëve, për t’i kthyer ato para në buxhetin e shtetit.

()


AlbaniaWeb.net