Wed, Apr 30, 2025

Në Itali apo jashtë, largimi nga Inter i sigurtë, ende e paqartë e ardhmja e Asllanit

  • PublishedApril 30, 2025

Në Itali apo jashtë, largimi nga Inter i sigurtë, ende e paqartë e ardhmja e Asllanit

E ardhmja e Kristjan Asllanit vijon të jetë një temë e nxehtë në Itali, kjo jo më sa i takon largimit të tij nga Inter në fund të sezonit, për të cilin sipas mediave nuk ka më dyshime, por lidhur me ekipin e ri ku mund të shkojë fantazisti kuqezi.

Pas 3 viteve me fanellën zikaltër veshur, Asllani nuk ka bindur teknikun Inzaghi dhe drejtuesit e klubit milanez për të vijuar tek kampionët e Italisë, ndaj klubi do të vijojë kërkimet për gjetjen e një zëvendësuesit në rolin e turkut Çalhanoglu.

Tashmë ngelet për të kuptuar nëse Asllani do të vijojë të qëndrojë në Itali tek ndonjë skuadër e një niveli më të ulët se sa Inter, por që do t’i garantojë mesfushorit më shumë minuta në dispozicion, apo do të provojë ndonjë aventurë jashtë Italisë.

Inter në krahun tjetër është i gatshëm për të dëgjuar çdo ofertë që mund të vijë për Asllanin, si ato për shitjen e menjëhershme të tij, si tratativat për huazim me të drejtë blerje. Një tratativë që do të na shoqërojë me shumë gjasa gjatë gjithë verës, me shpresën se në të mire të vetë Asllanit dhe ekipit tone kombëtar, mesfushori do të bëjë zgjedhjen e duhur, për t’iu bashkuar një ekipi që do t’I garantojë një rol protagonisti, për të shpalosur të gjithë potencialin e tij në fushën e blertë.


AlbaniaWeb.net