Katy Perry reagon pas kritikave për udhëtimin në hapësirë
Katy Perry mund të ketë kënduar “What a Wonderful World” në hapësirë, por kthimi në Tokë nuk ishte aq i mrekullueshëm për të. Këngëtarja është përballur me një valë reagimesh të ashpra pas pjesëmarrjes në fluturimin e Blue Origin, ku ishte pjesë e një ekipi prej gjashtë grave që përjetuan 11 minuta në orbitë. Në vend të duartrokitjeve, Perry thotë se është ndjerë si një “piñata njerëzore” – një metaforë e fortë për sulmet e vazhdueshme që ka marrë online.
“E goditur dhe e lënduar”, por sërish pozitive – kjo është gjendja aktuale e artistes, e cila ka zgjedhur të fokusohet te dashuria që merr nga fansat. Dhe ata kanë qenë aty për të – një billboard në New York, i financuar nga ndjekësit e saj më besnikë, u bë një moment emocional për Katy-n, e cila tha se ndihet “shumë mirënjohëse” për mbështetjen e tyre të palëkundur.
Reagimet e ashpra pas udhëtimit të saj nuk ishin të vetmet që tronditën imazhin e Perry-t këtë vit. Albumi i saj i fundit nuk u prit me entuziazëm, ndërsa videoklipi i këngës “Woman’s World” u cilësua si i vjetëruar nga një pjesë e kritikëve. Por pika kulmore erdhi me udhëtimin hapësinor, që për shumë njerëz u perceptua si simbol i një bote të shkëputur nga realiteti ekonomik i shumicës.
Në këtë mes, edhe kolegia Lily Allen ka reflektuar mbi kritikat që i kishte drejtuar Perry-t, duke kërkuar ndjesë dhe pranuar se nuk kishte qenë e nevojshme të bashkohej me sulmet kolektive.