Thu, May 1, 2025

Koha në favor për të rikuperuar lojtarë, Gega pritet t’i ketë të gjithë në “Final Four”

  • PublishedMay 1, 2025

Koha në favor për të rikuperuar lojtarë, Gega pritet t’i ketë të gjithë në “Final Four”

Partizani pritet të kthehet në stërvitje për të përgatitur gjysmëfinalen e “Final 4”, që do të luajë përballë Egnatias më 5 maj, në orën 20:00 në “Arenën Kombëtare”.

Të kuqtë kaluan me sukses ndeshjen ndaj Elbasanit në një situatë të vështirë, sa i përket aspektit fizik, pasi para saj kishin luajtur 120 minuta rraskapitëse përballë Egnatias në Kupë. Tashmë kanë gjithë kohën e disponueshme për të rimbledhur energjitë dhe për t’u qasur në maksimum me rrogozhinasit.

Në këtë sfidë të radhës, e vetmja mungesë e sigurt është ajo e Agim Zekës, për shkak dëmtimi. Pjesa tjetër e ekipit, me shumë mundësi do të jenë në dispozicion, por për tre nga lojtarët do të duhet një trajtim i veçuar dhe i detajuar nga mjekët. Paulo Buxhelaj dhe Altin Bytyçi kanë probleme në gju. Problemet fizike të kësaj dysheje duken të kalueshme me trajtim individual.

Në sfidën e fundit pati shqetësime edhe Mehmeti, por pas një rishikimi nga ana e stafit mjekësor, ka rezultuar vetëm lodhje muskulore. Pjesa tjetër e ekipit gëzojnë formë fizike optimale dhe pritet të stërviten normalisht. Sa i përket formacionit, Gega tashmë i ka idetë e qarta sa i përket cilësive dhe formës së lojtarëve dhe nuk priten surpriza nga hiçi.

 


AlbaniaWeb.net