22 vite pritje, Dinamo feston me trofe, i “rrëmben” Egnatias Kupën
22 vite pritje për të shijuar një tjetër trofe. Më në fund, Dinamo rikthehet në majën e futbollit shqiptar, rikthehet aty ku i ka hije, duke festuar me trofe. Pas një kalvari të gjatë vuajtjesh ku prekën fundit, “nëndetësja” del në sipërfaqe, me blutë e Ilir Dajës që triumfuan në Kupën e Shqipërisë duke bërë për vete për herë të 14-ët në histori këtë trofe.
Në “Elbasan Arena”, përballë Egnatias, tifozët shijuan një ndeshje fantastike, 4 gola të shënuar, por që nuk mjaftuan për të përcaktues një fitues, pasi fati i kësaj finaleje u vendos nga ruleta e penalltive. Itodo rezultoi lojtari i ndeshjes, me sulmuesin nigerian që realizoi golin e parë për Dinamon në minutën e 19-të, por në fundin e pjesës së parë ishte Guindo ai i cili barazoi shifrat në 1-1.
Në fraksionin e dytë, Itodo gjeti sërish rrugën e rrjetës duke sjellë festë te tifozët e dinamovit. Blutë arritën të administronin si duhet pjesën e mbetur të këtij takimi, por atëherë kur gjithçka po shkonte drejtë fundit, në minutën e 95-të, Bakajoko i vetëm në qendër ndëshkoi Dinamon duke bërë që kjo finale të shkonte në shtesë. Në këtë pikë, dy ekipet u kujdesën të mos gabonin duke bërë që finalja e Kupës të vendosej nga ruleta e penalltive.
Ekipi i Ilir Dajës u tregua më i saktë duke realizuar 5 nga 6 goditje duke bërë që Dinamo të festonte për këtë trofe shumë të rëndësishëm që i jep besim dhe moral për të ardhmen. Askush nuk dëshiron të ndalet këtu, por pas festës, blutë janë me mëndje në “Final4”, me dëshirën e madhe dhe shpresën për të fituar edhe titullin kampion, fundja as kjo nuk është e pamundur, në një kohë kur i morën trofeun nga duart ekipit më të mirë, Egnatias:

“Bardhi rikthen Dinamon e madhe. Blutë marrin Kupën e Shqipërisë pas 22 viteve nga triumfi i fundit”, shkruan Panorama Sport, gazeta më e madhe sportive në vend.
()