Sat, May 3, 2025

Agron Shehaj në Fier: Lista e PS me Ceno Klosin nën hetim nga SPAK, Rama iu kërkon votën për t’i shpëtuar nga drejtësia

  • PublishedMay 2, 2025

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nga Fieri akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor zgjedhjet si mjet për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij të akuzuar për korrupsion. Sipas Shehajt, ndërkohë që drejtësia po dërgon të korruptuarit në burg, Rama i vendos në lista për t’i shpëtuar me votën e qytetarëve.

“Listat e PS-së janë plot me ish-deputetë dhe ish-ministra nën hetim për korrupsion. Olta Xhaçka nën hetim për korrupsion. Rama e mbrojti për të mos i hequr mandatin. Tani kërkon votën tuaj që ta mbrojë sërish në Parlament. Po kështu me Plarent Ndrecën dhe Ceno Klosin, që e keni kandidat në Fier, të dy nën hetim nga SPAK,” – u shpreh Shehaj.

Ai theksoi se, ndryshe nga kjo praktikë e “listave të korruptuara”, kandidatët e Partisë Mundësia nuk kanë pasur poste e privilegje dhe vijnë nga puna e ndershme.

Shehaj u ndal edhe te deklaratat e Ramës kundër partive të reja, duke i quajtur përpjekje për të ruajtur kontrollin mbi sistemin politik: “Edi Rama thotë ‘s’na duhen parti të treta’, sepse i trembet ndryshimit. Ai kërkon të mbajë të vjetrit në lojë, me rotacion të korrupsionit.”

Sipas tij, Partia Mundësia është sot e treta në rang kombëtar, por nuk synon të jetë as kingmaker dhe as aleate e sistemit të vjetër. “Ky është vetëm fillimi. Ne do të jemi partia e parë. Dhe kur të vijë ajo ditë, Edi Rama nuk do ketë më vend në politikë,” përfundoi Shehaj.

Partia Mundësia garon për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit dhe mban numrin 10 në fletën e votimit.

()


AlbaniaWeb.net