Flirte në publik dhe follow në Instagram: Ç’po ndodh mes Romeos dhe Heidit?
Romeo Veshaj dhe Heidi Baci, dy nga emrat më të përfolur të sezonit të tretë të “Big Brother VIP Albania”, po rikthehen sërish në vëmendje – këtë herë jo për ndonjë projekt të ri, por për raportin e tyre personal që vijon të mbetet në syrin e publikut.
Edhe pse lidhja e tyre romantike lindi brenda shtëpisë së famshme dhe vazhdoi për pak kohë edhe jashtë, dyshja vendosi të ndante rrugët pak javë pas përfundimit të spektaklit, duke i lënë fansat me më shumë pyetje sesa përgjigje.
Por së fundmi, ndjekësit e çiftit kanë vënë re disa sinjale që kanë rikthyer zërat për një ribashkim të mundshëm. Romeo dhe Heidi janë parë në të njëjtin ambient publik – në koncertin e fundit të Dren Abazit – ku, sipas dëshmitarëve, nuk munguan vështrimet flirtuese mes tyre. Video dhe foto nga ngjarja janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të shumta.
Dhe si të mos mjaftonte kjo, një tjetër detaj ka ndezur edhe më shumë dyshimet: Romeo dhe Heidi kanë nisur sërish të ndjekin njëri-tjetrin në Instagram. Një veprim i vogël për disa, por mjaft i zhurmshëm për ata që ndjekin nga afër çdo lëvizje të tyre.
Deri tani, asnjëri prej tyre nuk ka reaguar publikisht për këtë “afrim” të ri, por publiku duket i gatshëm për të parë një rikthim të mundshëm… apo të paktën për të zbuluar nëse gjithçka është thjesht një rastësi me qëllim.