Gjylameti jep lajmin e mirë për pensionistët: Bonusi i pranverës i lidhur me rritjen ekonomike, do jetë gjithmonë
Deputetja Blerina Gjylameti foli për përpjekjet e qeverisë për të rishikuar skemën e pensioneve, duke theksuar rëndësinë e lidhjes më të ngushtë mes kontributeve dhe përfitimeve. Në një intervistë në News 24, Gjylameti theksoi se lufta kundër informalitetit në paga është një element kyç për përmirësimin e sistemit të pensioneve, duke mundësuar pensione më të larta dhe më të qëndrueshme për qytetarët.
“Ne do të kemi dhe rishikimin e të gjithë skemës sepse duhet një lidhje më e mirë mes kontributeve dhe pjesës së përfitimeve. Nga ana tjetër, edhe lufta ndaj informalitetit të pagave bën të mundur që skema e pensioneve të performojë më mirë dhe pensionet të jenë më të larta. E them këtë sepse kemi bërë një punë të mirë për pjesën e formalizimit të tregut të punës, në mënyrë që të mos kemi më punonjës në të zezë. Ne po punojmë shumë fort për formalizimin e tregut të punës. Dhe përtej këtyre, për mua është shumë e rëndësishme, si profesioniste, si ekonomiste, por edhe si vajzë e dy prindërve pensionistë: fakti që bonusi i pranverës kishte një specifikë ndryshe. Nuk lidhej me një fond që qeveria shqiptare e vendos si bonus, si diçka që jep shpërblim për pensionistët, por ishte e lidhur drejtpërsëdrejti me rritjen ekonomike. Pra nëse pagat po rriten sektor privat dhe publik, nëse po zhvillohet, po ulet borxhi, pra ka kontribute të mira të ekonomisë, pra sa është kontributi i rritjes ekonomike te pensionistët? Dhe bonusi i pranverës është i lidhur me këtë. Është vendosur një përqindje që nga rritja ekonomike kalon automatikisht në një fond te Banka e Shqipërisë për të kaluar në skemën e fondit të pensioneve. Do të jetë gjithmonë dhe do të jetë gjithmonë e më shumë në rritje”, theksoi Gjylameti.
Gjylameti gjithashtu u fokusua te nevoja për përkrahje më të madhe për gratë. Ajo theksoi rëndësinë e mundësive të barabarta për gratë në tregun e punës, duke përfshirë mundësi më të mira për arsimim dhe trajnim profesional.
Gjylameti po ashtu theksoi rëndësinë e programit “After School” për fëmijët, i cili ofron mundësi edukimi dhe zhvillimi pas shkollës, duke krijuar mundësi për gratë të punojnë dhe të kujdesen për fëmijët e tyre në të njëjtën kohë.