“Jemi forcë e tretë, por nuk jemi “Kingmaker”/ Agron Shehaj: Nuk dorëzohemi derisa “Mundësia” të jetë parti e parë
Në Fier, kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, iu përgjigj deklaratave të fundit të kryeministrit Edi Rama për partitë e reja dhe rolin e tyre në politikën shqiptare. Duke u ndalur te forca në rritje e Partisë “Mundësia”, Shehaj theksoi se qëllimi nuk është të mbetet një parti e tretë në renditje, por të bëhet forca e parë politike në vend.
“Jemi qartësisht partia e tretë në të gjithë Shqipërinë dhe për Edi Ramën, që thotë “s’na duhet partia e tretë”, në fakt ka një keqkuptim.
Ai mendon se ne synojmë të jemi parti e tretë, por plani ynë është: ne nuk jemi këtu për të qenë parti e tretë, nuk jemi këtu për të qenë “kingmaker”, se ai na ngatërron me ata që ka pasur më përpara, me ata të cilët e çuan në pushtet.
Me ata, të cilëve ndau pushtetin dhe pastaj i futi shkelm, por ne nuk synojmë të jemi parti e tretë. Sigurisht, hapi i parë është të jemi parti e tretë, por ne duam të jemi partia e parë.” – u shpreh Shehaj nga takimi i fushatës në Fier.
Shehaj deklaroi se është vetëm çështje kohe derisa partia “Mundësia” të jetë parti e parë në Shqipëri.
“Është çështje kohe dhe ajo që na ndan nga të qenit partia e parë është këmbëngulja. Këmbëngulja dhe këmbëngulja vetëm, kjo dhe puna.
Dhe ne nuk dorëzohemi deri sa të bëhemi partia e parë në Shqipëri dhe kur ne të jemi partia e parë, nuk dua ta mendoj se ku do të jetë Edi Rama, se sigurisht nuk besoj se do të jetë më në politikë.” – u shpreh Shehaj në Fier.
()