Kandidate për deputete me Partinë Mundësia! Barbara Doda: Jemi qartësisht forcë e tretë në vend, duam t’ju heqim njerëzve shtetin nga kurrizi
Barbara Doda, kandidate për deputete me Partinë Mundësia në qarkun e Tiranës, ishte e ftuar në një intervistë televizive në studion e News 24, ku ndau vizionin e saj dhe të partisë për zgjedhjet e 11 majit. Ajo deklaroi se “Mundësia” po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje nga publiku dhe se, sipas sondazheve, tashmë është forca e tretë politike në vend.
Doda theksoi se në këtë fazë të fundit të fushatës nuk tolerohet asnjë gabim dhe se përkushtimi maksimal është i domosdoshëm. Sipas saj, qytetarët po besojnë te lideri i partisë, Agron Shehaj, si dhe te kandidatët që, siç tha ajo, ‘vijnë nga puna, jo nga politika e vjetër’.
“Ne duam t’ju heqim njerëzve shtetin nga kurrizi, të reduktojmë rolin e shtetit dhe ta bëjmë më efikas”, u shpreh Doda, duke shtuar se synimi kryesor është forcimi i drejtësisë dhe mbështetja e qytetarëve që nuk kanë votuar kurrë më parë. Ajo e cilësoi votën për Partinë Mundësia si një votë për të ardhmen.
Barbara Doda: Mundësia po pëlqehet nga publiku dhe kjo na gëzon. Puna që kemi bërë në 1 vit e gjysmë, duhet të na shpërblehet në kuti më 11 maj. Nuk tolerohet asnjë gabim nga ana jonë, sidomos në këto ditët e fundit përpara zgjedhjeve. Gabimi që mund të bëjmë është që të jemi të kënaqur. Ne duhet të bëjmë maksimumin. Njerëzit kanë krijuar besim tek Agron Shehaj dhe kjo është diçka e mirë. Për mua, politika është e bukur, në Shqipëri shahen shumë politikanët nga e kaluara, por politika duhet të jetë një fushë e mirë, që t’ju bërë mirë njerëzve. Ne duam t’ju heqim njerëzve shtetin nga kurrizi. Ne kandidatët e partisë Mundësia vijmë nga puna. Ne jemi të vetëm në zgjedhje. Premtimi ynë është që roli i shtetit të jetë sa më i vogël e efikas dhe drejtësia të bëjë punën e vet. Ne kemi arritur që t’ju mbushim mendjen njerëzve që të votojnë, kur ata nuk kanë votuar asnjëherë. Në sondazhe jemi forcë e tretë politike. Vota për Partinë Mundësia është votë për të ardhmen.