Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit, Manastirliu: Mbështesim rritjen e kapaciteteve të universiteteve tona, përmes financimit për kërkimin shkencor
çel sot Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit, organizuar nga Universiteti i Mjekësisë Tiranë, një ngjarje e rëndësishme që bashkon profesionistë të fushës së mjekësisë, studiues dhe pedagogë nga Shqipëria, rajoni dhe vende të ndryshme të botës.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së punimeve të kongresit ishin Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Skënder Gjinushi, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Xheladin Draçini, si dhe dhjetëra të ftuar, profesorë, mjekë dhe nga institucione akademike ndërkombëtare.
Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu theksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes ndaj kërkimit shkencor, duke e cilësuar kongresin si një platformë të
madhe diskutimi:
“Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit është një platformë e madhe e diskutimit mbi shkencat e shëndetit që bashkon mbi 300 studiues e kërkues shkencorë dhe unë jam e bindur që do të keni mundësi në këto tre ditë intensive të shkëmbimit të praktikave të mira të projekteve të kërkimit shkencor, t’i shërbeni asaj që është më e rëndësishme: shëndetit të qytetarëve dhe kujdesit ndaj pacientëve.
Për ne ka një rëndësi parësore kërkimi shkencor. E kemi treguar në të gjitha këto vite të punës sonë përmes një bashkëpunimi interaktiv me komunitetet ndërkombëtare të universiteteve të ndryshme europiane dhe e kemi treguar gjithashtu me të gjithë instrumentat financiarë por edhe ligjorë të cilët i kemi vendosur në funksion të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, tha Ministrja Manastirliu.
Duke folur për mbështetjen e qeverisë në fushën e kërkimit dhe inovacionit, Ministrja Manastirliu u shpreh:
“Bashkë me Akademinë e Shkencave ne punuam fort me gjithë universitetet për ligjin e ri të shkencës në Shqipëri. Tashmë jemi në fazën ku jemi duke ndërtuar të gjithë instrumentat ligjorë, sepse ky ligj jo vetëm që mbështet shkencën e hapur, por krijon mundësinë që në të gjitha institucionet tona të arsimit të lartë, aty ku shkenca lëvrohet dhe mbështetet, të kemi dhe qendra të tjera ku jo vetëm financiarisht do të mbështeten nga buxheti i shtetit, por edhe nga të tretët: nga biznesi, që është një nxitës shumë i fortë sa i përket kërkimit shkencor, por edhe nga institucionet ndërkombëtare. Përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit kemi bërë hapa të rëndësishëm në financimin e kërkimit shkencor për të gjitha universitetet tona. Ne tashmë jemi në fazën ku do të prezantojmë projektet e reja të kërkimit shkencor dhe infrastrukturës së kërkimit shkencor. Janë mbi 100 projekte që do të financohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit; projekte të cilat jo vetëm ngrejnë në një standard kërkimin shkencor në Shqipëri, por nga ana tjetër hapin dyer për bashkëpunimin me diasporën akademike, me biznesin, duke realizuar atë që është qëllimi i tretë i arsimit të lartë, shërbimin ndaj shoqërisë”.
Ajo shtoi gjithashtu se ndërkombëtarizimi i universiteteve është prioritet, duke theksuar bashkëpunimet me institucione të njohura ndërkombëtare:
“Ndërkombëtarizimi është fjala kyçe e gjithë prioritetit tonë përsa i përket hapjes drejt të resë, por edhe rritjes së standardeve dhe cilësisë së sistemit tonë arsimor, por edhe të të gjithë sektorëve të vendit, dhe këtu kemi bërë hapa të mëdha me universitetet tona për nxitjen e hapjes së kampuseve universitare. Një projekt inovator që ne synojmë ta realizojmë në vitin e ri akademik 2025–2026 është hapja e kampusit të Universitetit Teknologjik të Compiègne në Universitetin Politeknik të Tiranës, duke i dhënë kështu mundësinë që universitete europiane të një standardi dhe niveli bashkëkohor të mikpriten brenda strukturave të universiteteve tona publike, duke i dhënë mundësi jo vetëm rritjes së kapaciteteve, por edhe kërkimit shkencor, diplomave dyfishe apo programeve të përbashkëta që do të nxisin më tej jo vetëm ekselencën në arsim, por edhe në kërkimin shkencor”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Kongresi do të zgjasë tre ditë, duke krijuar një platformë frymëzuese për shkëmbimin e dijes, zhvillimin profesional dhe promovimin e ekselencës në fushën e mjekësisë dhe shkencave të shëndetit.
Në fokus të kongresit janë temat që prekin një spektër të gjerë të shkencave të shëndetit: nga mjekësia klinike, kirurgjia dhe urgjencat, te diagnostika teknologjike, shëndeti publik, shëndeti mendor, farmaceutika dhe rehabilitimi.
Ekspertë nga Shqipëria, Europa dhe SHBA po ndajnë dije rreth qasjeve të reja në diagnostikim, trajtim, menaxhim të sëmundjeve dhe humanizim të kujdesit shëndetësor.